Izraelitët dhe palestinezët mirëpresin fillimin e armëpushimit

by Nexhat

Izraelitët dhe palestinezët u shprehën të lehtësuar dhe të kënaqur për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit gjashtë javor në Gazë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që filloi të dielën. Hamasi liroi tre pengje, ndërkohë që Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Tel Aviv, Linda Gradstein, shumë izraelitë ia njohin meritat për arritjen e marrëveshjes Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në sheshin, që tashmë njihet si Sheshi i Pengjeve në Tel Aviv, mijëra izraelitë kthyen shikimin drejt ekraneve e mëdha, duke pritur me shqetësim lirimin e tre pengjeve nga Hamasi dhe dorëzimin e tyre tek Kryqi i Kuq e më pas tek ushtria izraelite.

banner

Brohoritjet shpërthyen kur tre vajzat e reja, që dukeshin në gjendje relativisht të mirë, u ribashkuan me familjet e tyre. Ato do t’i kalojnë katër ditët e ardhshme në spital, ku do pritet ta marrin veten nga përvoja e hidhur gjatë 471 ditëve që po mbaheshin nga Hamasi. Njëra nga pengjet, Emily Damari, shtetase britanike dhe izraelite, tha përmes një deklarate se është personi më i lumtur në botë tani që është e lirë.

“Udhëheqja dhe angazhimi juaj ishte jetike për arritjen e këtij hapi të rëndësishëm. Megjithatë, kërkojmë nga ju të vazhdoni përpjekjet për të siguruar arritjen e fazës së dytë të marrëveshjes”, thotë ajo.

Gjithsej 33 pengje izraelite, të gjallë dhe të vdekur, pritet të lirohen gjatë fazës së parë gjashtë javore të marrëveshjes.

Gjatë kësaj kohe, palët duhet të angazhohen për fazën e dytë, e cila parashikon një armëpushim të përhershëm, lirimin e 65 pengjeve të tjera dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza. Shumë nga familjet e pengjeve janë të shqetësuara se nëse marrëveshja dështon para fazës së dytë, pengjet e mbetura kurrë nuk do të kthehen nga Gaza.

Në mesin e 33 pengjeve që pritet të lirohen në fazën e parë është edhe babai 84 vjeçar i Omri Lifshitz.

“Në fazën e parë janë 33 prej tyre dhe duhet t’i kthejmë të gjithë. Do të luftojmë për fazën e dytë. Shpresojmë që Presidenti Trump do të vazhdojë trysninë për t’i dhënë fund kësaj dhe për ta arritur fazën e dytë të marrëveshjes”, thotë ai.

Krahas lirimit të tre pengjeve izraelite, Izraeli liroi 90 gra dhe të mitur palestinezë nga Bregu Perëndimor që mbaheshin në burgjet izraelite. Sipas marrëveshjes për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, Izraeli do të lirojë rreth 1,900 të burgosur palestinezë, disa prej tyre të dënuar me burg të përjetshëm për vrasjet e izraelitëve.

“Gëzimi ynë nuk është i plotë për shkak të asaj që u ka ndodhur njerëzve në Gazë dhe të rënëve të tyre dhe për shkak të të burgosurave të tjera që i lamë prapa në burg”, tha palestinezja e liruar nga burgu izraelit, Hanan Maalwani

Analistët paralajmërojnë se përpara ka ende rrugë të gjatë për të siguruar përfundimin zyrtar të luftës dhe lirimin e pengjeve. Ata thonë se përtej euforisë fillestare, gjatë gjashtë javëve të ardhshme do të ketë tensione të shtuara në Izrael dhe në Bregun Perëndimor. Publiku izraelit është i përçarë rreth rrezikut që paraqet përfundimi i luftës dhe lirimi nga burgjet i një numri të madh të palestinezëve që kanë gjak në duart e tyre./VOA/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy