Sot në orën 18:00 në Prishtinë do të hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës, i cili, nëpërmjet kujtimeve të fëmijëve të asaj kohe, do të sjellë rrëfime të ndryshme të tyre.
Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive në organizatën joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), theksoi se ky muze është një hapësirë që shërben për shërim, për nxjerrje të asaj traume jashtë dhe për çlirim individual e kolektiv e që, sipas saj, një aspekt shumë i rëndësishëm është që muzeu dhe ekspozita janë kuruar në atë mënyrë që t’i kontribuojnë paqes dhe pajtimit në vendin tonë.
Ajo në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se “është një hapësirë alternative e kujtesës në Kosovë e që i shtohet pjesës së muzeve të Kosovës, sidomos muzeve të cilët e kujtojnë pjesën e luftës së fundit në Kosovë”.
Ndër të tjera, ajo tha se kjo është një hapësirë dhe nismë për faktin që i kontribuon në një mënyrë shumë të rëndësishme ruajtjes të asaj pjese të tmerrshme të historisë sonë përmes syrit të fëmijëve, se qysh fëmijët në atë kohë nga komunitetet e ndryshme e kanë përjetuar luftën dhe çfarë kujtime kanë prej asaj kohe dhe se si ajo periudhë e përjetuar ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
“Të gjitha ato trauma, përjetime, kujtime personale të cilat i kanë bartur në vete, por që s’kanë pasur rastin t’i shpërfaqin e t’i shpalosin me një publik më të gjerë. Tash e kemi krijuar këtë hapësirë që të kontribuojmë jo vetëm në dokumentim, ruajtje të kujtesës të fëmijëve të asaj kohe, mirëpo edhe t’i edukojmë, informojmë gjeneratat e reja se çfarë ka ndodhur, me çfarë janë ballafaquar fëmijët dhe qytetarët e Kosovës gjatë luftës që ka ndodhur në fund të viteve e ’90-ta”, shtoi Shabiu.
Po ashtu, ajo bëri me dije se muzeu hapet sot me ekspozitën “Loja e ndërprerë”, e cila shpërfaq kujtimet e tyre të asaj kohe