Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Sllagjan Trajkoviqit, i dyshuar për krime lufte.
Sllagjan Trajkoviq po akuzohet nga prokuroria se në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të Komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Në seancën e sotme u dëgjua një dëshmitar.
Trajkoviq u arrestua më 15 dhjetor 2022 në Mitrovicën e Jugut dhe që atëherë ndodhet në paraburgim. Ai ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe dha dorëheqje kur serbët nga veriu u larguan nga institucionet e Kosovës, më 5 nëntor 2022.