Në seancën gjyqësore në rastin “Kobra”, ku të akuzuarit, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli akuzohen për vrasjen e Visar Cengut më 3 janar 2023, u dëgjuan dy dëshmitarë, babi i viktimës, Behar Cengu dhe Vllaznim Mustafa, derisa mungoi dëshmitarja, Alketa Sadiku.
Babi i viktimës, Behar Cungu gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka kërkuar drejtësi për vrasjen e djalit të tij.
Ai tha se asnjë nga të akuzuarit përfshirë edhe Dibran Hoxhaj nuk e njeh dhe as nuk ka pas asnjë konflikt.
Tutje Cungu para trupit gjykues tha se lajmin për vrasjen e djalit të tij e kishte marr nga kolegu i tij i punës.
“Ai e kishe marr vesh ngjarjen nuk dishim gjë në familje, nuk isha i njoftuar. Më tha a ka Behar tjetër në Kukës ai shoku i punës, jo i thash vetëm unë. Më tha mundesh me ik deri tek spitali…Shkova e gjeta djalin aty. Prokurorja: A e dini a e ka njohur ndonjë person prej të pandehurve djali: Shpesh ato kur vishin prej emigrimit vinin në Kosovë, nuk e di…Vetëm di një gjë që djali nuk ka pas gjë me vete fare si ka ngrënë bukë ka dal nga shtëpia, ndoshta edhe lekë nuk ka pas me vete në kohën kur ka dal nga shtëpia… Bashkërisht me gjithë familjen time me gjithë vëllezër gjithë çka kam, drejtësi dua karshi djalit, nuk dua me thënë nuk kam qenë në ngjarje vetë”, theksoi ai.
Pyetje për babin e viktimës, Behar Cungu, pati avokati mbrojtës i të akuzuarit, Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”. Avokati, Latifi kërkoi të di nga dëshmitari se kënd e kishte takuar kur kishte shkuar në spital. Më pas, dëshmitari tha se ka takuar djalin dhe persona të tjerë, dhe i plagosuri tjetër që ishte me djalin e tij kishte shkuar në Tiranë.
Dëshmitari i parë në këtë rast, Behar Cungu tha se asnjëherë nuk ka pas problem me askënd në Kosovë dhe as me familjen e Dibran Hoxhaj.
I pyetur nga avokati i Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, se a ishte takuar me shokët e djalit të tij, Rifgen Shehu dhe Arben Bashkën, babai i viktimës tha se asnjëherë nuk është takuar me ta pasi ata ndodhen jashtë vendit.
Seanca gjyqësore vazhdoi me pyetjen e gjyqtarit, Vesel Ismali, i cili kërkoi të di nga dëshmitari Cengu se çfarë njohurish ka për ngjarjen që i ka ndodhur djalit të tij.
Më pas, babai i viktimës në cilësinë e dëshmitarit të Prokurorisë tha se nuk di asgjë për atë çka ka ndodhur me djalin e tij pasi nuk ka qenë në vendin e ngjarjes.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshminë e tij e dha edhe Vllaznim Mustafa i cili në natën kritike ku kishte ndodhur vrasja e Visar Cungu ishte duke kënduar në lokalin “Kobra City”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, dëshmitari Mustafa deklaroi se derisa ishte pothuajse fundi i mbrëmjes tre persona që ishin nga Shqipëria kishin dal jashtë dhe qetësisht kishin biseduar me menaxherë e lokalit.
Sipas tij në momentin kur ishin kthyer brenda në lokal, personat nga Shqipëria kanë përplasur derën dhe kanë rrëzuar një tavolinë derisa kishin tentuar të hynin në zyrën e lokalit.
E më pas ai thotë se asgjë nuk i kujtohet dhe as nuk ka dëgjuar pasi për tu vetëmbrojtur ka shkuar në tualet dhe nuk ka dal derisa kanë ardhur policia.
Dëshmitari, Vllaznim Mustafa u pyet nga avokati mbrojtës i Dibran Hoxhaj, Florent Latifaj se klientin e tij në natën kritike a e ka parë në sallën e lokalit.
Dëshmitari deklaroi se atë natë Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” e ka takuar në fillim dhe në fund kur e ka marr pagesën.
Sipas tij gjendja e “Kobrës” ka qenë e qetë.
Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli në shqyrtimin fillestar gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.