Dëshmitari Hamdi Hyseni ka thënë se nuk mund të numërojë se herë e kanë rrahur gardianët kur ishte i burgosur në Prishtinë në kohën e luftës. Por, i kujtohet se me cilat mjete ishte ushtruar dhunë ndaj tij.
“Na kanë rrahur me shufra të hekurit, me shkop të bejsbollit dhe shufra të gomës, kush e ka provu e din”, ka shtuar ai
Këtë deklaratë e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku po gjykohet për krime lufte Dragisha Milenkoviq që ngarkohet në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
”Pothuajse çdo ditë më kanë rrahur, më kanë maltretuar të githë gardianët që kanë qenë ”, deklaroi Hyseni.
Ai ka thënë se ishte i arrestuar dhe ishte mbajtur për 46 ditë në dhomat e Sigurimit të Shtetit Serb.
Dëshmitari Hyseni tha se pas atyre 46 ditëve, e kanë dërguar në burg të Prishtinës, ku ka qëndruar nga 10 tetori 1998 deri më 27 mars 1999.
“…. Më kanë arrestu me pretekstin për terrorizëm, kam qenë i kidnapuar nga sigurimi i shtetit, 46 ditë më kanë mbajt në dhomat e sigurimit të shtetit”, ka deklaruar dëshmitari Hamdi Hyseni.
Ai deklaroi se sjelljet e të gardianëve nuk kanë qenë sjellje normale sa i përket institucioneve shtetërore, nuk duhej të përdorej dhunë e terror.
Gjithashtu, Hyseni ka thënë se kushtet sanitare dhe ushqimi kanë qenë të nivelit më të ulë t dhe se kanë mbijetuar nga ushqimet që u kanë sjellur familjarë në vizitë .
Gjithashtu, ai ka deklaruar se me të arritur në burgun e Lipjanit, në hyrje ka qenë një kordon i gardianëve në të dyjat anët rreth 30 gardianë
Tutje, ai ka thënë se ka pasur raste kur gardianët i kanë nxjerrë të burgosurit nga dhomat e tyre në ora 10 të mbrëmjes, duke i rrahur vetëm që të krijojnë panik e tmerr.
Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Dragisha Milenkoviq, avokates Jovana Filipoviç, dëshmitari Hyseni, ka thënë se gjatë kalimit nëpër kordone nuk kanë pasur mundësi dhe nuk kanë guxuar që t’i shikojnë në fytyrë gardianët.
Dëshmitari Hyseni tha se ka problem që të mbajë në mend emrat, por që të akuzuarin e ka njohur nga fotografitë të cilat i janë prezantuar në polici gjatë dhënies së deklaratës, në procedurën e hetimeve.
Tutje, në pyetjen e të akuzuarit Dragisha Milenkoviq, se pse nuk i ka paditur, dëshmitari Hyseni tha se pasi që ka mbetur gjallë nuk i ka interesuar më asgjë pasi që 6 muaj i kaluar nëpër mjekë
“Mjekët më kanë thënë nuk ki jetë, po ka dashtë zoti e jam gjallë. Zoti m’ka rujt se këta kanë gju mem vra”, deklaroi Hyseni.
Po ashtu, Hyseni tha se ka qenë një gardianë serb i cili ka qenë më korrekt me të burgosurit, emrin e të cilit nuk e mbante mend por që thirrej me shkurtesë n “Mille”.
Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje