Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kanë vizituar Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të shpallur hapjen e një kapitulli të ri në shërbimin publik shëndetësor, në bashkëpunim me Sheba Medical Center, i njohur si një nga ekselencat botërore në fushën e mjekësisë
Rama shprehu optimizmin e tij për transformimin e QSUT dhe spitalit onkologjik, duke e përshkruar këtë përpjekje si një aleancë strategjike që synon të krijojë një sinergji mes mjekëve, për të arritur një shërbim shëndetësor të shkëlqyer në Shqipëri. “Ky nuk është një shkëmbim sporadik, por një aleancë strategjike bazuar në mirëkuptimin se, krah për krah me mjekët, do të krijojmë një sinergji që do ta bëjë QSUT qendrën spitalore universitare të ekselencës deri në vitin 2030 për Shqipërinë dhe rajonin. Jam shumë mirënjohës presidentit të Izraelit për gatishmërinë e tij për të na lidhur,” tha ai
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Sheba Medical Center, një nga spitalet më të mëdha dhe më të avancuara në Izrael, për të përmirësuar shërbimin onkologjik në Shqipëri.
Sheba Medical Center është njohur ndërkombëtarisht për cilësinë e shërbimeve mjekësore dhe ka një histori të gjatë në ofrimin e kujdesit shëndetësor të nivelit të lartë