Në veri të Mitrovicës për herë të parë është mbajtur 15 minuta heshtje nga qytetarët serbë në kujtim të 15 personave që mbetën të vdekur nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad të Serbisë më 1 nëntor.
Siç raporton mediumi në gjuhën serbe “KoSSev”, aksioni u iniciua dhe qytetarët i ftoi Srdjan Gjorgjeviq nga Mitrovica, i cili më herët kishte shprehur publikisht mbështetjen për studentët që po protestojnë anembanë Serbisë muajin e dytë.
Rreth njëqind qytetarë janë mbledhur para Fakultetit Filozofik, thotë ky medium.
Në pankartat që ata mbanin në duar shkruhej: “Mbështetje për studentët nga Kosova”, dhe një pankartë e madhe e bardhë përshkruan simbolin e rebelimit të studentëve në të gjithë Serbinë, një grusht i kuq ose një dorë e përgjakur, e cila simbolizon atë që kërkojnë studentët – llogaridhënien institucionale.
Gjorgjeviq, në një fjalim në të cilin lexoi emrat e të gjithë 15 personave të vdekur në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, bëri thirrje për pesëmbëdhjetë minuta heshtje.
“Të nderuar qytetarë, faleminderit që iu përgjigjët thirrjes për të mbajtur sot një aksion heshtjeje për vdekjen e 15 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, që çoi në protesta masive në të gjithë Serbinë. Ky është mbledhja e parë këtu. Të gjithë e dimë se në këto rrethana nuk është e lehtë të shprehësh mendimin, qëndrimin apo solidaritetin”.