Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ngriti alarmin për situatën aktuale politike dhe ndërkombëtare të Kosovës, duke kritikuar ashpër qasjen e qeverisë në raport me aleatët strategjikë.
Abdixhiku theksoi në “Rubikon” se politika e izolimit dhe vetëkënaqësia e qeverisë aktuale kanë dobësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Tani jemi në një vijë e rrjedhë krejt tjetër, ku jemi të sanksionuar, të izoluar, ku kauza serbe merr fuqi atje, dhe si duket kemi njëfarë vetëkënaqësie se jemi të fortë, po qëndrojmë, e në fakt jemi duke humbur e jemi duke shkuar mbrapa. Liderët e fuqishëm, ata që kanë mbështetje popullore e kanë në dorë të tyre ta drejtojnë këtë mbështetje. Qeveria populiste, këtë mbështetje e ka drejtuar kundër aleatëve tanë, sa që është krejt zakonshme sot, pra merreni me mënd, sot ne flasim për sulmet e orientimit ton strategjik edhe ndaj aleatëve tanë edhe ndaj partnerëve tanë ku ne sillemi me vetëkënaqësi që të bën të përplasemi me secilin në botë, ndonëse se s’ke rezultat sepse je i sanksionuar, pa njohje, pa integrim, pa asgjë.” – u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se “kjo gjendje duhet ndryshuar” sepse, sipas tij, “është përtej partive politike.”