Në emisionin EURO n’T7, ish-kryeministri Avdullah Hoti foli për nënshkrimin e marrëveshjes me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ai e cilësoi atë marrëveshje si një sukses historik për Kosovën dhe një moment krenarie për LDK-në.
“Marrëveshje të tilla nuk ndodhin shpesh. Jam krenar që si kryeministër pata privilegjin ta nënshkruaj atë marrëveshje, e cila garantonte investime të mëdha për Kosovën,” tha Hoti. Ai shtoi se ka edhe satisfaksion personal për këtë arritje, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.
Hoti kritikoi qeverinë aktuale për përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, duke përmendur deklaratat kundër administratës amerikane nga liderët e Kosovës. “Kemi një qasje të papërgjegjshme nga kryeministri dhe drejtuesit e tjerë të shtetit, të cilët kanë dëmtuar rëndë raportet tona me SHBA-në,” theksoi ai.
Ish-kryeministri garantoi se me krijimin e një qeverie të re të udhëhequr nga LDK-ja, marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë do të riaktivizohet, duke sjellë investime të mëdha në projekte infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë gazifikimin e vendit.