Në disa qytete të Shqipërisë u mbajtën shërbesa dhe lutje për nder të Kryepeshkopit të ndjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastasi Janullatos, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë.
Në Gjirokastër, Mitropoliti Dhimitër kreu një Lutje-Përkujtimore në Katedralen e qytetit, pas Liturgjisë Hyjnore, duke theksuar kontributin e rëndësishëm të Kryepeshkopit në ringritjen e kishave dhe manastireve, shkruan A2 CNN.
Në Fier, besimtarët iu drejtuan Kishës së Shën Gjergjit për të nderuar figurën e Kryepeshkopit, duke falur dhe lutur për shpirtin e tij. At Dhimitri, i cili udhëhoqi shërbesën, vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Kryepeshkopit në ringjalljen e besimit ortodoks në Shqipëri. Po ashtu, edhe në Elbasan, besimtarët e Kishës së Shën Kollit, një prej objekteve më të rëndësishme fetare, i dedikuan një meshë për shpirtin e tij.
Mitropoliti i Elbasanit, At Andoni, e cilësoi Kryepeshkopin Anastas si një figurë të paharrueshme dhe theksoi rëndësinë e veprës së tij për Kishën Ortodokse dhe për ringjalljen e besimit pas periudhës komuniste. Kisha e Shën Kollit, e ndërtuar me ndihmën e Anastasit, është një simbol i ringjalljes së jetës fetare dhe ruan një vend të shenjtë në jetën shpirtërore të komunitetit ortodoks në këtë qytet.