Një zyrtar policor është plagosur sonte në një poligon të qitjes në fshatin Pasjak të Novobërdës, i njëjti është dërguar për mjekim në QKUK. Dyshohet se ky rast ka ndodhur kur një të mituri i ka shkrepur arma aksidentalisht, i cili më pas është arrestuar.
Ismet Hashani, zëdhënës në policinë e Gjilanit, tha për Gazetën Express se lidhur me rastin është arrestuar edhe një instruktor i poligonit.
Njoftimi i tij i plotë:
Ju njoftojmë se sot me datën 26.01.2025 rreth ores 19:12 në fsh. Pasjak – Novobërdë ne poligonin e gjuajtjes ,,Target’’, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë me urgjencë njësitet relevante. Nga hetimet e para mësohet se është plagosur zyrtari policor E.Sh. (2003) dhe i njëjti është transportuar për QKUK- Prishtinë
Dyshohet se deri te ky rast i rëndë të ketë ardhë kur një prerson që poashtu ishte në poligonin e gjuajtjes bashkë me viktimën i shkrep arma aksidentalisht. I dyshuari i mitur është arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit dhe është intervistuar në bazë të procedurave ligjore.
Njësiti i hetimeve rajonale bashkë me prokurorin e shtetit po i udhëheqë hetimet në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e këtij rasti të rëndë.
Policia e Kosovë , njësia e Hetimeve Rajonale pas hetimeve në vazhdim lidhur me rastin Plagosje, me vendim të prokurorit të shtetit është arrestuar një instruktor i cili punon në këtë poligon. Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar nga njësia e Hetimeve Rajonale – Gjilan.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, konfirmoi për Gazetën Express “që hetuesit e IPK-së pasi janë njoftuar nga Polcia kanë dalë në vendngjarje në të dy rastet”, referuar edhe aksidentit që ndodhi në Çubrel të Skënderajt, në të cilin u përfshi një veturë e policisë.
“Bazuar në informacionet dhe hetimet në vendgjarje, bashkë me njësitet Policore dhe Udhëzimet e Prokurorit do të ndërmerren veprimet e nevojshme”, shtoi ai.