Kylian Mbappe e pati një fillim të zbehtë të eksperiencës tek Real Madridi, por kjo duket se tashmë i takon së kaluarës.
Ylli francez e ka gjetur formën optimale tek “Los Blancos” dhe po tregohet i pandalshëm.
Ish-futbollisti i Monacos dhe i Paris Saint-Germainit ka nisur të ketë shifra rekordesh në “Santiago Bernabeu”,
Përfaqësuesi francez e shënoi tregolëshin e parë me “Mbretërit” në fundjavën që shkoi për t’ia dhënë fitoren e pastër ekipit të Carlo Ancelottit në udhëtim tek Real Valladolidi, 3:0.
12 gola në 12 paraqitjet e tij të fundit në të gjitha garat, statistika këto të frikshme të 26 vjeçarit.
Kjo ecuri fantastike e ka ndihmuar kampionin e botës me Francën që të ngritet në kuotën e 22 golave në 32 ndeshje me Realin, duke iu afruar statistikave impresionuese të Cristiano Ronaldos në sezonin e tij debutues mbresëlënës në Madrid.
Nëse e shikojmë më thellësisht, Mbappe shënon gol me një mesatare prej çdo 74 minutash.
Trajneri Carlo Ancelotti ndihet mjaft i lumtur me formën e sulmuesit të tij kryesor duke shpresuar që të vazhdojë kështu deri në fund të sezonit