Shumë parregullsi teknike janë evidentuar në dosjen e ofertë së operatorit ekonomik “AL Dushi” në tenderin për bartjen e materialeve votuese nëpër vendvotime në ambasadat e Kosovës në mbarë botën dhe kthimin e fletëvotimeve në Kosovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia dha tenderin kësaj kompanie, proces të cilin më pas e pezulloi, pa marrë në konsideratë shumë parregullsi, për të cilat operatori tjetër ekonomik, që kishte ofertë dy herë më të ulët, është ankuar, dhe ankesa i është refuzuar.
Sipas Gazeta Express, e cila i ka parë dokumentet në këtë procedurë tenderuese ku dëshmohen parregullsi.
Një prej tyre është edhe çështja e flotës së kompanisë “AL Dushi” që ka marrë përsipër bartjen e dërgesave ndërkombëtare me status diplomatik. Kompania e dëshmuar si e papërgjegjshme ka aplikuar për tender duke prezantuar vetura të paregjistruara për komunikacion në Republikën e Kosovës
Fotografia e veturave, e dorëzuar në këtë tender si kërkesë specifike në kushtet e tenderit rezulton të jetë e prezantuar rrejshëm pasi që nuk korrespondon me gjendjen faktike të veturave.
Sipas librezave të veturave të prezantuara në dokumentacionin e tenderit, operatori ekonomik “AL Dushi” posedon 3 vetura ‘pickup’ ngjyrë të bardhë, një ngjyrë kafe dhe një furgon me ngjyrë të kaltër.
Por në fotografinë e prezantuar shihen 5 vetura ‘pickup’ dhe dy furgonë, të gjitha ngjyrë kafe.
Operatori ekonomik, oferta e të cilit është shpallur “administrativisht e papërgjegjshme” të mërkurën kishte parashtruar ankesë në KQZ. Në të ishin paraqitur fakte të cilat dëshmojnë se oferta e tyre për bartjen e dërgesave ndërkombëtare me status diplomatik ishte bërë konform kërkesave të parashtruara në tender dhe kishte potencuar në mënyrë të detajuar të gjitha parregullsitë që kishte gjetur ne ofertën e operatorit ekonomik “AL Dushi”, pas qasjes në dosje që KQZ ia kishte lejuar.
KQZ as që ka marrë në konsideratë kërkesën që Ministria e Punëve te Jashtme ia kishte dërguar Organit Shqyrtues të Prokurimit më 24 dhjetor të vitit të kaluar që “Al Dushi” të futet në listë të zezë dhe të mos marrë pjesë në procese tenderuese për një vit.