Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit po vazhdon edhe në veri të vendit.
Partitë e komunitetit serb, kanë zgjedhur mënyra të ndryshme për të kërkuar votën e qytetarëve.
Por kryetari i partisë Nisma Qytetare Drejtësia Popullore, Radoica Radomiroviq po e akuzon Listen Serbe për blerje votash e shantazh.
Ai për Tëvë1 thotë se kjo po bëhet edhe para vëzhguesve të bashkësisë ndërkombëtare.
“Vetë kampanja po shkon shumë rëndë për shkak të blerjes së qartë të votave nga Lista Serbe para syve të bashkësisë ndërkombëtare. Në zyrat partiake të Listës Serbe tash po bëhet regjistrimi i qytetarëve, po marrin edhe nga 20 mijë dinarë, e asnjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare. Pra, jemi në një moment të rëndë, sepse zgjedhjet nuk janë fer dhe korrekte, qytetarët kërcënohen me dëbim nga puna. Kjo është një praktikë moti e vendosur dhe mënyra se si Lista Serbe arrin te votuesit. Por, ne besojmë në vetëdijen e qytetarëve, që në këtë çast do të dënojnë Listën Serbe”, tha Radoica.
E Radomiroviq ka një kërkesë edhe për qytetarët shqiptarë.
“Ne shohim rastin tonë ashtu që edhe një numër i votuesve shqiptarë të votojnë për ne. Ky do të ishte synimi ynë i përbashkët që të vazhdojmë punën e mëtejme drejt pajtimit, bashkëjetesës, dhe integrimeve euro-atlantike. Më themelorja për neve, ashtu si për shoqërinë shqiptare e boshnjake, që sa më parë të pranohemi në NATO, dhe të lëvizim drejt integrimeve euro-atlantike, ashtu që qytetarëve tanë t’u sigurojmë jetë më të sigurt, më të mirë, më stabile”, tha Radomiroviq.
Partia e ministrit aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq po i mban takimet me qytetarë në komunën e Graçanicës që nga fillimi i fushatës.