Ethet e garës brenda Partisë Demokratike kanë nisur të shfaqen, ku disa drejtues degësh kanë dorëzuar dorëheqjet për t’u bërë pjesë e Primareve.
Pavarësisht procesit të nisur, ende nuk është marrë një vendim se si do shkohet në Primare, ku në tryezën e Sali Berishës janë tre variante.
“Ka një variant që të jenë degësh. Ka një variant tjetër që të jenë qarku. Ka një propozim që të jenë listë kombëtare”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Lideri i demokratëve u mundua që të mos mbante një qëndrim se cili variantin do preferonte ai vetë, por sërish tregoi se nga mund të anojë vota në Këshillin Kombëtar. “Sigurisht lista kombëtare është listë kombëtare, por gjersa sistemi është rajonal unë besoj se je i detyruar të respektosh sistemin rajonal. A mund të shartohen dhe të përdoret votë e dyfishtë? Nuk mund ta them këtë, duhet ta mendojmë me ekspertë dhe specialistë…”
Berisha paralajmëroi dhe ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike për të shpëtuar drejtuesit politik nga primaret. “Unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve. Si e gjykon Këshilli Kombëtar, unë nuk mund ta marrë përsipër. Por një drejtues është një drejtues dhe nuk ka mbirë aty, ka ardhur aty nga procese votimesh dhe votëbesimesh. Kështu se si do jetë…”.
Kryetari i opozitës pohoi se do të konsultohet sërish me juristët e partisë përpara se të vendosë se cilin udhëzim për primaret do të dërgojë për miratim në Këshillin Kombëtar