Dëshmitari Naser Krasniqi deklaroi para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) se nuk e ka parë asnjëherë Kadri Veselin që ta dërgojë dikë në objektin e ndalimit në Kleçkë.
“Është e vërtetë se asnjëherë nuk e kam parë duke e dërguar dikë në atë qendër”, tha Veseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se ka qëndruar përreth zonës së Kleçkës deri në përfundim të luftës, përkatësisht deri në fillim të qershorit 1999.
Me arsyen që informacionet konfidenciale mund të nxirren nga dëshmitari në pyetjet e radhës, avokati i Veselit, Rodney Dixon kërkoi seancë privat. Kjo kërkesë e mbrojtjes, u aprovua nga trupi gjykues
Dëshmitari thotë se Kadri Veseli nuk ka qenë i përfshirë në asnjë prej vendimeve për lirimin ose ndalimin e personave në Kleçkë
(Përditësuar, ora 12:52)- Dëshmitari Naser Krasniqi gjatë dëshmisë në Hagë tha se Kadri Veseli nuk ka qenë i përfshirë në asnjë prej vendimeve lidhur me ndalimin ose lirimin e personave në Kleçkë.
Këtë gjë, Krasniqi e pohoi duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Ai gjithashtu tha se Veseli nuk ishe i përfshirë në asnjërin prej hetimeve në rastin e Krojmirit dhe në asnjë prej vendimeve të marra në këtë rast, e asnjë prej rasteve të tjera për të cilat dëshmitari ka dijeni.
SHIK-u nuk kishte të bënte me Shërbimin Informativ Ushtarak, por me pjesën civile, tha ai.
Krasniqi theksoi se pas formimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, ka mundur të ndodhë kalimi i Kadri Veselit nga ZKZ-ja në SHIK.
“Një gjë e tillë ka mundur të ndodhë pas formimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Sigurisht me formimin e Qeverisë së Përkohshme (në prill të 1999-ës) ka pasuar një emërim i tillë”, tha dëshmitari.
Krasniqi pohoi që nuk ka marrë ndonjë urdhër nga Kadri Veseli gjatë kohës së luftës