Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se kryeministri aktual, Albin Kurti ka abuzuar me besimin e qytetarëve përgjatë këtyre katër vjetëve qeverisje.
Hoti ka thënë se partia në pushtet nuk ka prezantuar asnjë program konkret qeverisës teksa po kërkon besimin e qytetarëve edhe për një mandat. Ai ka thënë se kjo qeveri po ashtu nuk po jep llogari për mosrealizimin e premtimeve me të cilat e mori besimin e qytetarëve.
“Unë mendoj se është mungesa e rezultateve, mungesa totale e rezultateve sepse një parti politike që ka qeverisur katër vjet me vendin kur del në fushatë për të kërkuar prapë besimin e qytetarëve për mandatin e ardhshëm, duhet të bëjë dy gjëra: të japë llogari për realizimin e premtimeve dhe të prezantojë ofertën për qeverisjen e ardhshme. Asnjërën nuk është duke e bërë partia në pushtet. As nuk jep llogari, as para qytetarëve në tubime, as në media dhe as nuk kemi dëgju asnjë premtim, asnjë program për asnjë fushë nga kryeministri në largim, i cili kërkon në ajër si me thënë besimin e qytetarëve për të qeverisur tutje. Pse duhet ti jepet besimi për të vazhduar tutje kur ai ka abuzuar me gjithë atë besim që i është dhënë në katër vjet. Kjo më mban me shpresë se në ditën finale të votimeve, qytetarët do të jenë racionalë në vendimmarrje”, ka thënë Hoti në intervistën për Reporteri.