E para që ka mbajtur fjalim në ceremoninë e lamtumirës së kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatos ka qenë mbesa e tij.
Ajo u shpreh se Shqipëria u bë për Kryepeshkopin Anastas, atdheu i tij i dytë.“Vëllezërit e mi, në emër të familje sonë do dëshiroja t’ju falënderoja për dashurinë që keni treguar për xhaxhain tonë gjatë gjithë këtyre viteve. Ju e dini sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë, të vendit që u bë atdheu i tij i dytë.
Vëllezërit e mi, ne të krishterët orotodoksë e dimë se perëndia është dashuri dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në perëndi dhe perëndia qëndron në të. Kjo ishte jeta e Anastasit: Dashuri, ofrim, drejtësi, vërtetësi, përulësi, përpjekje, guxim, shpresë. Le të përpiqemi të ndjekim shembullin e tij i cili pati dashuri për perëndinë e dashurisë. Dhe le të sjellim gjithmonë ndërmend që dashuria nuk bën dallim ndërmjet racave, kombeve dhe shteteve. Krishti u ngjall vëllezërit e mi”, tha ajo.
Më pas fjalën e mori kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis i cili tha se Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve.
“Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë”, tha Mitsotakis.
“Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur.
Ai ishte, siç e kishte quajtur im atë, “i shenjtë dhe i urtë.” Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që, pa e shprehur me fjalë, të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë. Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona: në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve, dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje. Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon popujt. Prandaj, sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na lë”, shtoi Mitsotakis.