E. R. i janë caktuar 30 ditë paraburgim për rastin e aksidentit në Çubrel ku mbetën të vdekur tre persona. E. R., dyshohet për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.
Gjykata e Mitrovicës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për t`i caktuar 30 ditë paraburgim E. R., zyrtar policor, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin me fatalitet në Çubrel ku mbetën të vdekur tre persona.
Ky aksident kishte ndodhur më 26.01.2025.
Prokuroria më 28.01.2025 kishte kërkuar masën e paraburgimit për E. R. por që mbrojtësi i të dyshuarit e kishte kundërshtuar atë duke kërkuar që t`i caktohet masa e arrestit shtëpiak me arysen e gjendjes shëndetësore dhe se vepra është kryer nga pakujdesia.
E. R. sipas njoftimit të gjykatës nuk ka mundur të deklarohet për shkak të gjendjes shëndetësore.
Gjyqtar i procedurës paraprake ishte Valon Hajdini.
Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast është mbajtur në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të trajtimit që ishte duke marrë i dyshuari për këtë aksident
“Gjykata pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, është e bazuar pasi që gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të përshkruar si në kërkesën e prokurorisë”- thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës- Dega Skenderaj.
Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën Pejë – Mitrovicë në fshatin Çubrel.
Tutje në njoftim të Gjykatës thuhet shoferi i veturës kishte dalë në shiritin e kundërt të rrugës Pejë – Mitrovicë dhe si pasojë e ka goditur automjetin Golf i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi Mitrovicë – Pejë
“I pandehuri zyrtar policor, E. R. po drejtonte automjetin kombi të tipit VW, ngjyrë e bardhë ndërsa automjetin tjetër Golf IV ngjyrë hiri e kishte drejtuar tashmë i ndjeri A. G., i cili kishte vdekur në vendin e ngjarjes. Bazuar në hetime dyshohet se aksidenti ka ndodhur kur i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në rrugën nacionale Pejë-Mitrovicë, në fshatin Çubrel, pasiqë ishte një kthesë në të djathë, ka dal në shiritin e kundërt të rrugës dhe ka goditur automjetin Golf, i cili ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i kundër Mitrovicë-Pejë, dhe si pasojë e aksidentit tre pasagjerët kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe më pas është konfirmuar nga mjeku kujdestar në QKMF-së në Skenderaj që shoferi i automjetit Golf IV A. G., ka vdekur. Ndërsa tre pasagjerët e tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës ku nga mjeku kujdestarë është konfirmuar vdekja e dy pasagjerëve tjera femra, ndërsa një fëmijë ka mbetur në tretman dhe dyshohet se ka lëndime të rënda trupore”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.