Bashkëpunimi i ngushtë është çelësi drejt bërjes realitet të integrimit ekonomik rajonal

by Nexhat

“Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik janë jetikë për avancimin e anëtarësimit në BE, për nxitjen e reformave dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Ballkanin Perëndimor”. Kështu u vlerësua në konferencën rajonale “Fuqizim. Integrim. Rritje.” të mbajtur në Budva. Konferenca u hap zyrtarisht nga Ministrja për Çështjet Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorčević dhe Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian. Konferenca theksoi bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik si pikat kryesore për avancimin e anëtarësimit në BE dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Për qytetarët e Malit të Zi, përfshirë ata të rajonit, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një objektiv politik – është një premtim për një jetë më të mirë, punë dinjitoze, infrastrukturë cilësore dhe mbi të gjitha, për stabilitet dhe siguri. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar në arritjen e këtij objektivi. Mbyllja së fundmi e tre kapitujve të negociatave nuk është thjesht një sukses – është një sinjal që objektivi ynë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028 është i arritshëm”, – deklaroi Gorčević.

banner

Në ditën e dytë, Kryenegociatori i Malit të Zi, Predrag Zenović dhe Ambasadori i Gjermanisë, Peter Felten theksuan rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal në përshpejtimin e reformave dhe në nxitjen e konvergjencës socio-ekonomike.

Ambasadori Felten theksoi se: “Është një shenjë e mirë që të gjitha vendet e rajonit dhe institucionet përkatëse e shohin integrimin ekonomik rajonal si objektivin kryesor politik, pasi ai nxit zhvillimin ekonomik rajonal dhe kombëtar. Unë e shoh këtë si një dëshmi të vendosmërisë së rajonit për të bashkëpunuar ngushtësisht për ta bërë integrimin ekonomik një realitet”.

Në ditën e dytë të konferencës, në panelin e dedikuar për përfitimet e paraanëtarësimit morën pjesë Valentina Superti, Drejtoreshë e Përgjithshme në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, Ministrat për Çështjet Evropiane Maida Gorčević, Tanja Miščević dhe Orhan Murtezani, Zëvendëskryeministri për Integrimin Evropian Besnik Bislimi, Drejtori i Përgjithshëm për Integrimin dhe Politikat Evropiane Adrian Kamenica, si dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Josip Brkić.

Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, foli për përfitimet e Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar te reformat dhe tek integrimi progresiv në Tregun e Vetëm të BE-së dhe në Tregun e Përbashkët Rajonal.

Ministrat theksuan rëndësinë e nismave rajonale për një përafrim më të shpejtë me standardet evropiane dhe me integrimin në Tregun e Vetëm të BE-së. Projektet si “Korsitë e Gjelbra” dhe SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro) u lavdëruan veçanërisht për përmirësimin e lidhjes rajonale dhe të integrimit ekonomik. Ata theksuan se Plani i Rritjes shihet si një mjet për ta afruar rajonin me BE-në, për të nxitur dialogun rajonal dhe për të avancuar reformat. Megjithatë, u theksua se Plani i Rritjes nuk duhet të shihet si i vetmi udhërrëfyes, por si një mekanizëm për të përshpejtuar proceset e integrimit dhe për të tërhequr investime. Folësit pranuan se, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po zbatojnë reforma, ata po presin sinjale më të forta mbështetjeje nga BE-ja për të konfirmuar se rajoni është në rrugën e duhur. Ata theksuan gjithashtu se rezultatet konkrete dhe shpërblimet për arritjet janë thelbësore për progresin e mëtejshëm.

Daniel Bagwitz, Drejtori i Zyrës së GIZ-it në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi, theksoi angazhimin e GIZ-it në mbështetjen e integrimit rajonal dhe të integrimit në BE përmes nismave si projekti “RegioTrade”: “Si GIZ, të ngarkuar nga qeveria gjermane dhe BE-ja, jemi të angazhuar për të minimizuar hendekun ndërmjet rajonit dhe BE-së duke punuar me qeveritë, sektorin privat dhe me shoqërinë civile. Përmes projektit “RegioTrade”, ne do të ndihmojmë në zbatimin e reformave ekonomike që e afrojnë rajonin me BE-në deri në integrimin e plotë të tij”.

Dr. Tanja Bošković, Menaxhere e Projektit në GIZ, prezantoi projektin “RegioTrade” dhe rolin e tij në forcimin e tregtisë rajonale dhe në nxitjen e integrimit në BE, duke theksuar përafrimin e tij me reformat socio-ekonomike të planifikuara në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për periudhën 2024–2027. Ajo shtoi se krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal deri në vitin 2028 nuk është thjesht një vizion ambicioz—ai udhëhiqet nga nevojat praktike ekonomike. Ndonëse nuk do të zgjidhë çdo problem, heqja e shumë pengesave fizike, teknike dhe fiskale që e ndajnë rajonin do të krijojë një treg më të integruar dhe më konkurrues. “RegioTrade” do ta mbështesë përshpejtimin e këtij procesi dhe do të sigurojë përfitime materiale për bizneset dhe qytetarët.

Maja Handjiska Trendafilova, Drejtoreshë e ReSPA-s (Shkolla Rajonale e Administratës Publike), theksoi udhëheqjen e ReSPA-s në përmirësimin e administratës publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor: “ReSPA është krenare që i fuqizon nëpunësit civilë si shtylla e bashkëpunimit rajonal dhe e integrimit në BE. Përmes partneriteteve me shërbimet e KE-së, me shtetet anëtare të BE-së dhe me qarqet akademike, kemi nxitur progresin kundrejt integrimit në BE, menaxhimit të burimeve njerëzore dhe dixhitalizimit. Si një garantues i mundshëm rajonal për Akademinë e Tregut të Vetëm, ne mbetemi të angazhuar për të nxitur kolegjialitetin, forcimin e institucioneve dhe transferimin e qëndrueshëm të dijeve për një rajon më të fortë dhe më të lidhur”.

Konferenca mblodhi politikëbërës, zyrtarë të BE-së, liderë biznesi dhe ekspertë për të diskutuar rreth tregtisë rajonale, reformave strukturore për periudhën 2024–2027 dhe integrimit më të thellë në Tregun e Vetëm të BE-së. E organizuar nga GIZ-i dhe e mbështetur nga BE-ja dhe Gjermania, ajo theksoi rolin e partneriteteve në mbështetjen e rritjes ekonomike dhe në anëtarësimin në BE. Konferenca është organizuar nga Fondi i Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – Tregtia e Jashtme i GIZ-it, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), në bashkëpunim me Ministrinë për Çështjet Evropiane.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy