Në Ministrinë e Brendshme u prezantua sot anketimi i financuar nga qeveria suedeze, për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vendin tonë dhe besimit tek Policia e Shtetit. Kryeministri Edi Rama tha se ka një hendek të madh mes perceptimit të publikut për rendin dhe sigurinë në Shqipëri dhe asaj që shfaqet në pasqyrat e deformuara për interesa politike, tregtare dhe mediatike.
“Kurrë më shumë se sa sot Shqipëria nuk ka qenë e mobilizuar për ta arritur nivelin e barazisë para ligjit, çka nga njëra anë na është konfirmuar si fakt i pamohueshëm nga çelja e negociatave me Bashkimin Europian, që nuk janë as një dhuratë dhe as një vendimmarrje thjesht politike, por janë një konstatim i progresit të bërë në radhë të parë në aspektin e rritjes së nivelit të barazisë para ligjit”, tha Rama.
“Kjo na vendos përditë përballë sfidës së rritjes së vazhdueshme të atij niveli barazie që rrit qëndrueshmërinë e lirive individuale, bashkëjetesës demokratike dhe sundimit të ligjit. Prandaj kanë edhe atë natyrshmëri dhe stabilitet të vazhdueshëm. Po të shikosh, dëgjosh e lexosh çfarë shfaqet, thuhet e shkruhet për Policinë e Shtetit për rendin e sigurinë në Shqipëri, ky është një vend për të ikur të gjithë me vrap, ku nuk ka rend, siguri”, shtoi Rama.
Rama u shpreh se anketimi shërben për të ndarë pasqyrën e ecurisë së Shqipërisë në fushën që mbulon Policia e Shtetit me pasqyrat e deformuara të ekraneve, portaleve e medieve sociale, ku Policia e Shtetit bëhet rëndom shënjestër e akuzave, shpifjeve dhe gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.
“Kemi një realitet mediatik të baltosjes së punës së tyre nga urrejtja politike dhe mediatike për qeverinë, por që falangat e urrejtjes padrejtësisht lëshohen edhe kundër Policisë së Shtetit sa herë që gjendet qoftë edhe sebepi më i vogël”, tha Rama.
Në fjalën e tij Rama shtoi se në Akademinë e Sigurisë janë bërë përmirësime të ndjeshme, por ku duhet të bëhet ende më shumë.
“Për të pasur një Polici të Shtetit në mesataren e Bashkimit Evropian në të gjitha aspektet, sepse këto që trajton anketa janë aspektet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me publikun, por janë edhe një sërë aspektesh të tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt, por e prekin drejtpërdrejt interesin e publikut dhe na duhet një Akademi Sigurie e nivelit evropian, që sot ende nuk e kemi që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin. Tani me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të Drejtësisë dhe të Hetimit, rreth 100 studentë, si dhe me planin për Kampusin e ri të Sigurisë, besoj që mund të themi që Policia e Shtetit e 2030-ës do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në BE”, u shpreh Rama