Fushata për bojkotimin e vetësherbimeve u zbatua për herë të parë në Kroaci të premten e kaluar, por tani është përfshirë në vendet e tjera të Ballkanit pasi fitoi popullaritet në mediat sociale.
Blerësit në të gjithë Ballkanin bojkotuan supermarketet të premten si pjesë e një lëvizjeje që protestonte ndaj rritjes së çmimeve dhe përkeqësimit të krizës së kostos së jetesës.
Bojkoti vjen një javë pasi konsumatorët në Kroaci javën e kaluar qëndruan larg dyqaneve si pjesë e një nisme të nisur nga grupi kroat i të drejtave të konsumatorëve “Halo, inspektore” (“Përshëndetje, Inspektor”).
Faqja në Facebook postoi disa fotografi të supermarketeve bosh në vend.
Të enjten, grupi rriti fushatën e tij duke njoftuar një bojkot njëjavor të zinxhirëve të supermarketeve Eurospin, Lidl dhe DM, ndërsa u bëri thirrje gjithashtu kroatëve të shmangin të gjitha format e tjera të shpenzimeve të premten.
Lëvizja e protestës është shtrirë edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Shqipërisë dhe Kosova.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, madje i është bashkuar, duke deklaruar se “si qytetar e mbështes një veprim të tillë” në një intervistë televizive me transmetuesin publik të vendit këtë javë.
Në Kroaci, përpara bojkotit të premten, qeveria shtoi 40 artikuj të tjerë në listën e saj ekzistuese të 30 produkteve bazë me çmime të kufizuara, njoftuan mediat lokale.
Këto produkte përfshijnë disa lloje djathrash, kafeje dhe gjëra të domosdoshme shtëpiake si sapuni.
“Qëllimi kryesor është të mbrohen grupet më të cenueshme të qytetarëve”, tha ministri kroat i ekonomisë Ante Šušnjar, në një deklaratë të shpërndarë nga transmetuesi publik HRT.
Në Kroaci, transaksionet në zinxhirët e supermarketeve ranë me 44% të premten e kaluar, me shitjet totale që ranë me 53%, sipas një deklarate nga autoritetet tatimore të Kroacisë.
Kroacia është shtrydhur nga inflacioni, duke arritur një normë vjetore prej 4.5% në dhjetor – më e larta në eurozonë, ku mesatarja është 2.4%.
Vendi prezantoi për herë të parë kufijtë e çmimeve në vitin 2022 si një mënyrë për të luftuar rritjen e çmimeve të shkaktuara nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe pandemia COVID-19.
Zinxhirët kroatë të supermarketeve i janë përgjigjur gjithashtu lëvizjes së protestës, me Kaufland Croatia që njoftoi një ulje çmimi për mbi 1,000 produkte nga 5 shkurti.
Një tjetër rrjet supermarketesh, Konzum, tha se planifikonte të injektonte 1 milion euro për uljen dhe ngrirjen e çmimeve për 250 produkte vendase, të cilat nuk janë të kufizuara nga qeveria. /Euroneës/Albanianpost.com/