Lufta shkatërruese e Izraelit në Rripin e Gazës ia ka dobësuar aftësitë luftarake Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por, grupi militant vazhdon të jetë forcë mbizotëruese në enklavën palestineze, edhe pse ka pësuar humbje të mëdha gjatë bombardimeve izraelite që zgjatën 15 muaj.
“Hamasi është duke e rimarrë kontrollin dalëngadalë, edhe pse është goxha i dobësuar”, tha Nimrod Goren, drejtor i Institutit Mitvim me bazë në Jerusalem.
Izraeli është zotuar se do ta vazhdojë luftën në Gazë derisa ta çrrënjosë Hamasin. Megjithatë, palët u pajtuan për një marrëveshjeje armëpushimi dhe këmbimi pengjesh, më 15 janar.
Hamasi e kreu një sulm në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer 251 të tjerë.
Lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë i ka vrarë mbi 46.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Lufta gjithashtu e ka shkatërruar shumicën e Gazës dhe i ka zhvendosur shumicën dërrmuese të 2.3 milionë banorëve të vendit.
Hamasi, i cili e ka qeverisur Gazën që nga viti 2007, humbi shumicën e liderëve të saj politik dhe ushtarak gjatë luftës. Udhëheqësi i saj, Ismail Haniyeh, u vra në një sulm të dyshuar izraelit në Iran në korrik. Pasardhësi i tij, Yahya Sinwar, u vra nga forcat izraelite në Gaza në tetor.
Izraeli pretendon se ka vrarë deri në 20.000 luftëtarë të Hamasit gjatë luftës, por kjo shifër është kundërshtuar nga grupi militant, i cili nuk ka treguar sa anëtarë të tij janë vrarë.
Pa alternativë
Pavarësisht humbjeve, Hamasi e ka ruajtur kontrollin e fortë mbi pushtetin në Gazë.
“Hamasi nuk ka nevojë të jetë i fortë si më parë, sepse është ende më i fuqishëm se çdo alternativë tjetër”, tha Jerome Drevon, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me qendër në Bruksel.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se Hamasi ka rekrutuar po aq luftëtarë të rinj sa ka humbur gjatë luftës, megjithëse besohet se ata nuk kanë aq përvojë.
Drevon tha se strategjia e Izraelit për ta zgjidhur çështjen e Hamasit ushtarakisht ka dështuar. Alternativa, sipas tij, është një zgjidhje politike me palestinezët.
Por, kjo kundërshtohet nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe anëtarët e ekstremit të djathtë në koalicionin e tij qeverisës.
“Për ta, nuk ka kompromise politike”, tha Drevon për të djathtën ekstreme në Izrael. “Bëhet fjalë vetëm për arritjen e fitores së plotë”.
Më 19 janar, ministri izraelit i sigurisë kombëtare nga e djathta ekstreme, Itamar Ben-Gvir, dha dorëheqjen nga kabineti i Netanyahut në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së armëpushimit në Gazë. Ai tha se marrëveshja do t’i “shkatërrojë të gjitha arritjet e Izraelit”.
Aleati i Iranit
Drevon tha se, pavarësisht se i mbijetoi luftës me Izraelin, “rimbushja e arsenalit do të jetë më e vështirë” për Hamasin, i cili ka marrë mbështetje financiare dhe ushtarake nga Irani.
Izraeli ka vendosur bllokadë tokësore, detare dhe ajrore mbi Gazën që nga viti 2007. Ai kontrollon kufirin tokësor 12 kilometra të gjatë të Gazës me Egjiptin dhe e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për kontrabandimin e armëve përmes tuneleve nëntokësore nga Egjipti.
Drevon tha se Irani me gjasë do të vazhdojë ta mbështesë Hamasin, por financimi i grupit nuk do të jetë më shqetësim kryesor.
“Prioriteti i Iranit është Irani”, tha Drevon. “Për ta, ajo që ka rëndësi është ta arrijnë një marrëveshje të re me vendet perëndimore dhe SHBA-në”.
Irani është më i dobët dhe më i cenueshëm sesa ka qenë prej vitesh, pasi ka pësuar një sërë goditjesh të mëdha.
Gjatë vitit të vështirë 2024, ndikimi rajonal i Teheranit u dobësua dhe aftësinë e tij për t’i penguar armiqtë kryesorë, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, u kufizuan.
Republika Islamike duhet të marrë vendime të vështira pas rikthimit të presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Marrëveshja bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore, nga e cila Trump e tërhoqi SHBA-në në mënyrë të njëanshme në 2018 gjatë mandatit të tij të parë, gjithashtu skadon në fund të këtij viti.
Edhe nëse ndihma iraniane pakësohet, Hamasi me gjasë do të mbetet lojtari kryesor në territoret palestineze, duke pasur parasysh se sa thellë i ka futur rrënjët në Gazë dhe duke ditur mbështetjen që gëzon në Bregun e pushtuar Perëndimor.
“Nuk do të shkatërrohet”, tha Drevon. /REL/