Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar mesazhe në një grup të WhatsApp-it, ku zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i kërkoi Nagip Krasniqit t’ia japë tenderin një kompanie, ndonëse e njëjta ishte njoftuar se nuk i plotëson kushtet dhe duhet të përjashtohet. Në këtë grup ishin anëtarë edhe Nagip Krasniqi, Albin Kurti, Besnik Bislimi, Dejona Mihaili, Artane Rizvanolli, Hekuran Murati dhe Milot Kelmendi.
Në bisedat e zbuluara nga Mehmetaj, bëhet fjalë për ndërhyrje të drejtpërdrejta politike në proceset e prokurimit, ku Bislimi kërkon që tenderi për riparimin kapital të bllokut A5 t’i jepet një kompanie e cila nuk i plotësonte kriteret ligjore.
Bislimi kishte sugjeruar një skemë të negociatave të mbyllura për të favorizuar kompaninë e caktuar, ndonëse e njëjta nuk kishte kaluar filtrin e komisionit përkatës. Kjo ndërhyrje rezultoi në dështimin e kontratës dhe humbje milionëshe për Kosovën, duke shkaktuar edhe krizën energjetike që vendi përjetoi më vonë.
Paralajmërimet e LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte ngritur shqetësime mbi keqmenaxhimin sektorit energjetik. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte paralajmëruar që në gusht të vitit 2022 për një krizë energjetike të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe vonesat në mirëmbajtjen e Bllokut A5 të KEK-ut.
“Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë – prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë – këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet.” – shkruante Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, qeveria kishte neglizhuar qëllimisht mirëmbajtjen e këtij blloku, duke lënë Kosovën në krizë të qëllimshme për të krijuar hapësirë për tenderë të dyshimtë dhe për import të energjisë me çmime të larta. Kjo taktikë, sipas tij, kishte përfitues të qartë: mafian energjetike që fitonte miliona euro nga kriza.
“Sot, nga 130 MËh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë. Përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendojë asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderet riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë.” – kishte paralajmëruar kreu i LDK-së mes tjerash.
Në prill të vitit 2023, Abdixhiku shkoi edhe më tej, duke kërkuar përgjegjësi politike për “mafian energjetike”, duke akuzuar Qeverinë Kurti për lejimin e përfitimeve milionëshe nga keqpërdorimi i krizës. LDK kërkonte shkarkimin e menaxhmentit të KEK-ut, i cili ishte i mbrojtur nga pushteti për shkak të lidhjeve partiake.
“Blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj. Mirëmbajtja e thjeshtë e tij s’do të merrte kohë më shumë se dy muaj. Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë! Kemi kërkuar në vazhdimësi shkarkimin e gjithë udhëheqjes së KEK-ut – militantë partiak të vendosur nga partia në pushtet – pikërisht për shkak të një skandali si ky që kishte nisur nga korriku i vitit 2022. Ata gjetën mbrojtjen vetëm sepse ishin të partisë. Të njëjtit, pas dëmeve milionëshe ndaj vendit, ndodhen sot në pranga të Policisë
Tani shkarkimi është i vonshëm. Përgjegjësia politike për vendosjen, mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe të mafisë energjetike është domosdoshmëri. Kjo përgjegjësi ka adresë vet Qeverinë.” – kishte shkruar kreu i LDK-së në prill të vitit 2023.