Presidenti Donald Trump e ka emëruar Sekretarin e Thesarit Scott Bessent drejtor të përkohshëm të Byrosë së Mbrojtjes së Konsumatorëve nga Financat, pas shkarkimit të ish-drejtorit Rohit Chopra gjatë fundjavës.
Bessent, një ish-menaxher i fondit të mbrojtës që u konfirmua si kryetar i Thesarit të SHBA-së javën e kaluar, do të drejtojë, sipas pritjeve, Byron për Mbrojtjen e Konsumatorëve nga Financat (BMFK) deri në emërimin e një drejtori të përhershëm.
“Pres me padurim të punoj në BMKF-në për të avancuar agjendën e Presidentit Trump për të ulur kostot për popullin amerikan dhe për të përshpejtuar rritjen ekonomike,” tha Bessent në një deklaratë të BMFK-së të lëshuar të hënën.
Chopra, i cili u emërua nga ish-Presidenti Joe Biden në vitin 2021, shpesh ka pasur përplasje me industrinë bankare të SHBA-së pas përpjekjeve për të kufizuar drastikisht praktikat rreth tarifave për vonesën e kartave të kreditit dhe tarifave për tejkalimin e balancës, mes shumë përpjekjeve të tjera. Grupet tregtare që përfaqësojnë bankat luftuan këto rregullore në gjykatë, duke i parandaluar ato që do të kishin kursyer miliarda dollarë për amerikanët në tarifa, por që industria i quajti të pa menduara mirë ose të paarsyetuara.
Grupet bankare prisnin që Chopra të shkarkohej që ditën e inagurimit të Trumpit, por Chopra mbeti në detyrë për pothuajse dy javë gjatë mandatit të dytë të Trumpit, duke vazhduar të lëshonte njoftime dhe duke komentuar tema të nxehta, përfshirë nëse bankat kishin mbyllur padrejtësisht llogaritë.
Me 1 shkurt Chopra konfirmoi se po dorëhiqej nga agjencia. Ndërkohë që mandati i Chopra ishte parashikuar të zgjaste edhe rreth dy vjet të tjerë, mirëpo një vendim i Gjykatës së Lartë të vitit 2020 i dha presidentit fuqinë për të shkarkuar kryetarin e agjencisë sipas dëshirës.
Në një letër drejtuar Trumpit që u postua në platformën sociale X, Chopra tha se ai pa një mundësi për liderin e ardhshëm të BMFK-së për të realizuar “reforma të rëndësishme,” përfshirë një mundësi kufizimi të normave të interesit të kartave të kreditit.
BMFK u krijua pas krizës financiare globale të vitit 2008, e cila u shkaktua pjesërisht nga praktikat e papërgjegjshme të huadhënies dhe sekuritizimit të bankave.
Por agjencia ka qenë që atëherë në shënjestër të grupeve tregtare, të cilat argumentuan pa sukses se financimi i BMFK-së shkelte Kushtetutën e SHBA-së, dhe më së fundmi nga figura konservatore, përfshirë pronarin e X dhe këshilltarin e Trumpit, Elon Musk, i cili ka kërkuar mbylljen e BMFK-së.
Shoqata e Bankierëve të Konsumatorëve tha të hënën se ishte “e kënaqur” me emërimin e Bessent në BMFK dhe se ai duhet të ndërmarrë hapa për të kthyer pas “politikat partizane” të zbatuara nën drejtimin e Chopra.
“Shpresojmë që Sekretari Bessent do të marrë parasysh pasojat reale që rregulloret kanë mbi bankat kryesore të Amerikës, miliona konsumatorët që ato shërbejnë dhe ekonominë në tërësi,” tha Presidentja e CBA, Lindsey Johnson./CNBC