Komisioni Evropian pritet të përfshijë të ashtuquajturat “qendrat e kthimit” të lokalizuara jashtë kufijve të bllokut, prej nga emigrantët mund të kthehen në vendlindje në një projektligj që synon përshpejtimin e kthimit të azilkërkuesve të refuzuar.
Vendimi është marrë gjatë një takimi informal të liderëve të vendeve anëtare, i mbajtur më 30 janar në Varshavë.
Komisioneri për Emigracionin, Magnus Brunner diskutoi një seri “idesh inovative” për menaxhimin e emigracionit me përfaqësuesit e vendeve anëtare të zonës Schengen dhe të institucioneve të BE-së, me legjislacionin për kthimin e azilkërkuesve që dominoi bisedimet.
Projektligji në fjalë, që synon përshpejtimin e kthimit mbrapsht të emigrantëve, pritet të publikohet nga Komisioni në fund të muajit, për të nisur kthimin e tij në ligj.
Komisioneri Brunner propozoi “rregulla më të forta për burgimin” dhe “mundësinë e ngritjes së qendrave të kthimit” gjatë takimit të zhvilluar.
Qendrat në fjalë propozohet të ngrihen në vende jashtë BE-së, ku mund të mbahen ata aplikantë për azil, kërkesat e të cilëve janë refuzuar nga blloku dhe që prej andej të kthehen në vendet e origjinës.
Tetorin e kaluar, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për këto qendra, duke vlerësuar marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila, edhe pse e sfiduar nga një sërë vendimesh gjyqësore, mund të përcaktojë sipas saj hapat e ardhshëm të politikave evropiane për emigracionin.