Policia e Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së kanë arrestuar një person që dyshohet për komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare në një bankë të një shteti të BE-së përmes hyrjes së paautorizuar kompjuterike.
Policia e Kosovës tha se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së, ka zhvilluar “një operacion të suksesshëm hetimor në Prishtinë dhe Ferizaj”.
“Pas një hetimi disamujor është arrestuar një person i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së. Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm. I dyshuari dyshohet se i ka postuar për t’i shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme. Gjatë realizimit të operacionit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme”.
Policia tha se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar dhe “profesionalizmi i lartë i Policisë së Kosovës” kanë qenë kyç në këtë operacion
Me vendim të Prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme. Hetime tjera janë në proces në bashkërendim me autoritetet për të zbardhur plotësisht rastin.
Policia e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve kibernetike edhe në nivel të avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë publike.