Në planet kryesore të Ramush Haradinajt nëse bëhet kryeministër pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është që qysh në takimin e parë që do ta mbante në Qeveri do të vendoste për ta dorëzuar draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Menjëherë në takimin e parë të Qeverisë”- tha ai në “Debat Përnime”, më 05.02.2025, kur u pyet se si do të veprojë në lidhje me asociacionin.
Përveç kësaj, Haradinaj mëton që nën mandatin e tij të mundshëm, Kosova mos të vazhdojë më Dialogun me Serbinë, por ky shtet të trajtohet si një vend jonjohës, me të cilin ndahen interesat e përbashkëta.
Ai beson që Kosova është diskualifikuar nga partneriteti që ka pasur me fuqinë botërore dhe se tani duhet të bëj gjithçka për t’u rreshtuar në krahët e Amerikës
Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ai tha se Kosova duhet t’i përfundojë të gjitha obligimet që i ka marr me partnerët ndërkombëtarë.
“As kurrkush mos me mujt me na ba me gisht që nuk jem serioz. Dua me ia kthy nderin e shtetit, të Republikës, Kosovës, për të gjithë. Çdo obligim që është diskutuar ndonjëherë me Amerikën, mendoj me kry menjeherë. Shpejtë, saktë, menjëherë”- u shpreh Haradinaj.
Këto veprime, ai premton që do t’i ndërmarr në mënyrë që Kosova të kualifikohet si palë serioze.
“Mendoj që me mujt me bind presidentin Trump, Serbia na njeh. Nëse i thotë për 24 orë, Serbia na njeh për 23 orë. Pra qëllimi im, strategjia ime është që me mujt sa ma shpejt me hy në tavolinë te presidenti Trump duke ditë që është krejt ndryshe, është ndryshim tektonik që ka ndodhë në botë”- ka theksuar Haradinaj, duke shtuar e epoka e Trumpit është e paparë më herët dhe se Kosova duhet ta zë hapin në mënyrë që mos të ketë pasoja të mëdha
Për Dialogun Kosovë- Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian (BE) që nga viti 2013, ai thotë se mos të vazhdohet më me arsyetimin se ka një “inflacion të kontratave” prej nisjes së tij.
Haradinaj thotë se administratat e mëhershme të SHBA-së e kanë toleruar, duruar, mbrojtur dhe përkedhelur Kosovën, por një gjë e tillë nuk do të ndodh nga administrata Trump.
“Nuk i intereson kësaj [administrate] a je mirënjohës a mosmirënjohës. Nuk e kanë më atë problem. Zgjidhja e jote është: na kushton pare, nuk je në linjë me ne, nuk je partner i besueshëm- vazhdo. Unë mendoj me ndërru këtë. Na duhet me u rikualifiku. Kjo ka me qenë bukur e zorshme se është një administratë vërtetë shumë interesant, ndryshe se çfarë ka parë bota më parë”- shprehet Haradinaj.
Megjithatë, ai thotë se SHBA mund t’i rikthej investimet, veçse me kritere.
“Je me ta, ta gjejnë një mënyrë. Nuk je me ta nuk mundesh me shpresu me pas investime ma… Kurrkush nuk ka me mujt me marr asnjë cent të Amerikës pa kanë në linjë me ta, i besueshëm për ta. Nuk kanë ma bamirësi globale, e këso konceptesh”- tha ai.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999 dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës. Përgjatë 25 vjetëve USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, fuqizimin ekonomike të grave, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura.
Për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO, ai tha se për këtë të parën e kanë prioritet sepse ju duhet për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa për UNESCO-n i qëndroi pas veprimeve të Trumpit i cili ka vendosur ta tërheq SHBA-në nga kjo organizatë ndërkombëtare.
“Këshilli i Evropës është shpejtë, ndërsa sa i përket UNESCO-s nuk e di si do të shkojë”- përfundoi ai.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë.
Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve