Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është miratuar akti për të zgjatur afatet e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Afati u shty deri më 31 maj 2025
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka thënë se janë rreth 500 shqiptarë që iu ka përfunduar tashmë vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit. Tashmë, të gjithë këta persona do mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare
“Sot këshilli i ministrave vendosi për zgjatjen e afatit për vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit, që do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar, janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit.
Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti, do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e votës si e drejtë kushtetuese”, u shpreh Hoxha.
Prononcim për mediat i Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha pas mbledhjes së qeverisë:
Zgjedhjet e 11 Majit, zgjatet afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Përfitojnë 500 mijë shtetas shqiptarë
Përshëndetje të gjithëve,
sot Këshilli i Ministrave miratoi një akt shumë të rëndësishëm, për zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave te identitetit (ID), dhe pasaportave biometrike.
Kjo situatë do të zgjidhë shumë shpejt të gjithë këtë ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilëve u ka përfunduar vlefshmëria e kartave të identitetit.
Në këtë mënyrë, me miratimin e këtij akti do të kenë mundësinë të gjithë shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese.
Me miratimin e këtij akti të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ-së, duke u regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pyetje: PD ka një kërkesë për një ndryshim në Kod Zgjedhor që shqiptarët që jetojnë jashtë e nuk kanë dokument identifikimi shqiptare, por të huaja, të regjistrohen e të votojnë. Për DPGJC, a është e mundur të bëhet kjo si procedurë?
Ministri Hoxha: Kjo nuk është e mundur të bëhet pasi ligji nuk e parashikon. Të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë kartë identiteti dhe pasaporta biometrike të pavlefshme, pas miratimit të aktit që ne bëmë sot, do të kenë mundësi të regjistrohen në platformën e KQZ sipas udhëzimeve.
Pyetje: Të shtunën PD ka thirrur protestën e radhës në orën 17:00, a i keni marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste, duke u nisur edhe nga pretendimet e opozitës, që në protestat e fundit, që sipas tyre kanë reaguar fillimisht punonjësit e policisë duke provokuar demokratët në protestë, apo keni ndonjë sugjerim për ta, edhe për sloganin, duke iu referuar se pak javë më parë, ju e keni bërë, për partitë e reja në protestë, duke iu referuar sloganeve, që ju keni sugjeruar, që “gënjeshtra, marshim për deputet” apo “marshojmë, gënjejmë”?
Ministri Hoxha: Janë dy ndodhi të ndryshme. Gënjeshtra dhe marshimet për të ushtruar të drejtën dhe për partitë e vogla nga njëra anë, dhe protesta e datës 8 shkurt, ku është detyrim i Policisë së Shtetit për të marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste duke respektuar të drejtën e protestimit dhe të drejtën e tubimit për çdo shtetas shqiptar. Faleminderit.