Gjermania ka kundërshtuar me vendosmëri planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të “marrë përsipër” Gazën dhe për të rivendosur përgjithmonë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera.
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock në një deklaratë deklaroi se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet e vetmja rrugë përpara që do të sigurojë që palestinezët dhe izraelitët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.
“Dëbimi i popullatës palestineze nga Gaza jo vetëm që do të ishte i papranueshëm, dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu do të çonte në vuajtje dhe urrejtje të re”, theksoi ministrja gjermane
Ajo shtoi gjithashtu se OKB-ja, dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kundërshtuar vendbanimet izraelite në territoret palestineze përmes rezolutave dhe vendimeve të tyre.
Komentet e ministres gjermane vijnë pas deklaratës së Trumpit se SHBA-ja do të marrte përsipër Rripin e Gazës gjatë një konference për media, mbrëmë së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Sipas presidentit amerikan, popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti.
Propozimi është refuzuar në mbarë botën si nga zyrtarët e OKB-së ashtu edhe nga shumë vende, përfshirë Kinën Turqinë, Spanjën dhe Francën.