Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
Për këtë ka reaguar edhe Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ajo ka thënë se nuk e di çfarë duhet të bëjë Martin Berishaj që të shkarkohet nga detyra.
“Sinqerisht, unë nuk e di edhe çka duhet me ba Martin Berishaj për me u shkarku nga detyra e Ambasadorit? Pa një zor të madh nuk ishin ngritë në këmbë i madh e i vogël brenda VV-së për me e mbrojte”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka komentuar edhe deklaratat e Kurtit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“E në anën tjetër, nga TV Istogu, Kryeministri i përkohshëm i Kosovës së përhershme paska thënë që Kosova kurrë më mirë punët me Amerikën nuk i ka pasë. Ky njeri ose jeton në një univers paralel, ose shtrembëron faktet qëllimshëm. S’po e di cila është më keq”, ka thënë Çitaku.