Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetari i Grupit Parlamentar të saj Gazment Bardhi këmbënguli në qëndrimin se edhe anëtarët e diasporës që nuk kanë dokumenta shqiptare duhet të lejohen të votojnë, një kërkesë e cila shumica thotë se mund të lërë pa mituar ndryshimet që lehtësojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet e majit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Bardhi shprehu shqetësimin se për primaret që pritet të mbajë për herë të parë forca e tij politike, duke thënë se mund të jetë shumë vonë për ta realizuar siç duhet këtë proces. Ai shprehu vlerësimin që partia është tani e bashkuar dhe u bëri thirrje forcave të tjera politike që të bashkojnë votat për të fituar ndaj Partisë Socialiste në pushtet.
Duke folur për SPAK-un dhe kritikat e kryetarit të partisë Sali Berisha ndaj tij, ai tha se nuk e ndan mendimin e tij se bëhet fjalë për “organizatë kriminale”, por tha se pret më shumë nga struktura kundër korrupsionit
Zëri i Amerikës: Zoti Bardhi, vota e diasporës, po zë një vend të rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme. Partia juaj, siç deklaroi dhe dje zoti Berisha, ka vënë si kusht, që për miratimin e disa ndryshimeve të reja në Kodin Zgjedhor, të dakortësuara dhe me shumicën, të përfshihet votimi dhe i atyre që nuk kanë asnjë dokument shqiptar. Zoti Berisha shprehet se kjo duhet të bëhet pasi privohen dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit, ndërkohë që KQZ-ja si shifër zyrtare ka dhënë 160 mijë. Pse kjo këmbëngulje tek kjo pikë e tillë që mund të rrezikojë edhe faza të tjera të këtij procesi të votimit të diasporës?
Gazment Bardhi: Sepse ne gjykojmë se çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse jeton në Shqipëri apo jashtë vendit, ka të drejtën e vet për të votuar dhe ndikuar qeverisjen në Shqipëri dhe në kategorinë e e shtetasve që jetojnë jashtë vendit, fakti nëse ata kanë ose jo një dokument biometrik shqiptar nuk mund t’i privojë ata nga e drejta e tyre kushtetuese për të votuar. Dokumenti biometrik i identifikimit jep vetëm sigurinë për të identifikuar personin dhe kjo mund të arrihet edhe me një dokument identifikimi, fjala vjen të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të një vendi të Bashkimit Evropian. Dhe ne çmojmë që burokracia administrative në këtë rast, pra fakti nëse kanë apo jo një dokument identifikimi shqiptar nuk mund t’i privojë këta qytetarë të Shqipërisë, pavarësisht se jetojnë jashtë vendit, nga e drejta e tyre për të votuar. Nuk e kuptojmë këmbënguljen e Partisë Socialiste për t’i privuar një komunitetit të gjerë të qytetarëve shqiptarë, sepse nuk është një numër i pakët, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shifra të sakta në këtë drejtim, por bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë, që për një arsye apo tjetër, nuk e kanë çmuar të domosdoshme të kenë dy dokumente identifikimi. Ata kanë mbajtur vetëm dokumentin e vendit ku ata jetojnë, por vazhdojnë të jenë shtetas shqiptarë