Një konkurs i shpallur më 25 dhjetor 2024 nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, QKMF “Dr Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë për punësimin e 5 doktorëve të mjekësisë, ka ngjallur interesim të madh. Nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Fushë Kosovës, rezulton se janë 67 mjekë që kanë konkurruar dhe i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme dhe të veçanta sipas shpalljes së konkursit nr. 1520, të datës 25/12/2024.
Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, i tha Radio Kosovës se në data-bazën e Odës së Mjekëve të Kosovës, e përditësuar në muajin shkurt, janë mbi 300 mjekë të pa punë në Republikën e Kosovës. Një numër kaq i madh i mjekëve për të gjetur një vend pune, siç është rasti në Fushë Kosovë, ku për 5 vende kanë konkurruar 67 mjekë, është shqetësues jo vetëm për OMK, por për tërë shoqërinë kosovare:
“Realisht ky është një fakt shqetësues dhe duhet të jetë shqetësim për gjithë shoqërinë kosovare, kur bëhet fjalë për mjekë. Megjithatë, në data-bazën e përditësuar në shkurt 2025, pra sot, në Kosovë janë aktualisht 300 mjekë të deklaruar të papunë.”
Gjatë vitit 2024, sipas zotit Gjonbalaj, në evidencën e Odës së Mjekëve të Kosovës kanë qenë rreth 500 – 600 mjekë të papunë, por ky numër është përgjysmuar falë dy organizatave siç janë “Caritas Kosova” dhe një tjetër organizatë joqeveritare, që kanë punësuar mjekët përmes projekteve të tyre në bashkëpunim me QKMF-të e komunave të caktuara.
Gjonbalaj thotë gjithashtu, se është shqetësues fakti i largimit të mjekëve nga Kosova, një dukuri që po vazhdon:
“Gjatë vitit të kaluar, në data-bazën që kemi në Odën e Mjekëve të Kosovës, janë 110 mjekë që kanë lëshuar Kosovën, përkatësisht që kanë kërkuar “certifikatën e të kaluarës etike” për punësim jashtë vendit. Ndërkaq, brenda muajit janar të këtij viti, janë 5 mjekë të tjerë, që janë larguar nga Kosova.”
Oda e Mjekëve të Kosovës ka propozuar vazhdimisht të bëhen studime, por ka dhënë edhe ide se si të zgjidhet problemi i punësimit të mjekëve. Në fakt ky është vetëm një problem menaxherial” thekson Gjonbalaj për Radio Kosovën, teksa ka shtuar se “ka pasur dhe ka hapësirë, që të punësohet ky numër mjekësh, vetëm se për këtë duhet një studim kuadrosh