Sektori i gastronomisë në Kosovë pritet të marrë një shtytje të konsiderueshme përmes një pakete gjithëpërfshirëse reformash të prezantuar sot nga kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Në një takim me përfaqësues të gastronomisë, u prezantuan masa konkrete që synojnë lehtësimin e barrës fiskale dhe përmirësimin e kushteve të operimit për bizneset e këtij sektori.
“Gastronomia është një shtyllë vitale e ekonomisë sonë dhe meriton mbështetje të menjëhershme,” u shpreh Haradinaj, duke prezantuar planin që parasheh uljen e TVSH-së në 8% për katër vitet e ardhshme. Kjo masë shoqërohet me reduktimin e tarifave në produktet bazë dhe uljen e normave tatimore në paga dhe fitim nga 10% në 9%”, theksoi Haradinaj.
Lideri i koalicionit për Kosovën Fituese prezantoi gjithashtu një sistem inovativ të pagesave tatimore me këste, si dhe ndryshime në Ligjin për Zhurma që do të sigurojnë mbrojtje më të mirë për bizneset. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rregullimit të çështjes së duhanit përmes sistemit FUMAR, që parasheh zona të ndara dhe tarifa të përcaktuara qartë.
“Këto reforma do të sjellin më shumë formalitet në sektor, do të përmirësojnë kushtet e punës dhe do të krijojnë siguri juridike për investime,” tha Haradinaj, duke shtuar se masat e propozuara do të rezultojnë në rritje të të ardhurave për shtetin, duke krijuar kështu një situatë fitim-fitim për të gjithë aktorët e përfshirë