Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese 137, i është drejtuar sot me një letër publike Policisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohje të thellë për përkushtimin e tyre në ruajtjen e sigurisë së vendit dhe duke premtuar përmirësim të kushteve të tyre të punës.
Kandidati për kryeministër vë në dukje nevojën urgjente për ndryshim në trajtimin institucional të forcave policore.
“E ndjej në zemër dhe shpirt, atë që e përjetoni çdo ditë,” shkruan ish-kryeministri Haradinaj, duke theksuar sakrificën e përditshme të policëve për sigurinë e qytetarëve. Ai veçanërisht përmend sfidat e turneve të natës dhe kushtet e vështira të punës që përballojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Duhet të përfundoj kjo ëndërr e keqe, që e solli në kushte të vështira shpesh herë gjendjen tuaj, për kushtet më jetike që duhet t’i ketë një Polic/e”, thekson Haradinaj, duke sugjeruar se qeveria aktuale ka dështuar në përmirësimin e kushteve të punës së policisë
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme, Haradinaj u bën thirrje policëve të përdorin instrumentin demokratik për të sjellë ndryshim.
“Populli është gjithmonë me ju, sepse ju i shërbeni vetëm popullit”, përfundon ai, duke shprehur mirënjohje të veçantë edhe për familjet e policëve që sakrifikojnë kohën me të dashurit e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare