Opozita 2 orë protestë në Tiranë. Berisha: Në 11 maj të rrëzojmë Qeverinë! 3 policë lëndohen nga kapsollat. Çfarë ndodhi në tubimin para Kryeministrisë (FOTO+VIDEO)

by Nexhat

Rreth 2 orë ka zgjatur protesta e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj u mblodhën para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë masive pas deklaratave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë për korrupsion dhe abuzime me fondet publike. Organizatorët ndryshuan agjendën e protestës, ndryshe nga tubimet e kaluara të cilat u zhvilluan me bllokime rrugësh dhe mosbindje civile. Në protestën e kësaj të shtune para Kryeministrisë pati fjalime nga kryetari i PD, Sali Berisha, krerë të partive aleate e përfaqësues të tjerë demokratë. Gjithashtu, pati një mesazh zanor edhe nga Ilir Meta i cili ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Pas përfundimit të fjalimit, kryetari i PD, Sali Berisha u nis menjëherë drejt Italisë, pasi ditën e nesërme do të zhvillojë një takim me diasporën shqiptare atje

Protesta u shoqërua pa incidente, por sërish tre efektivë të Policisë së Shtetit kanë pësuar lëndime nga hedhja e kapsollave dhe tymuese nga mbështetësit e opozitës. Mes policëve të lënduar është edhe një efektive grua e cila ka mësuar dëmtime në pjesën e fytyrës, ndërsa dy kolegët e saj në duar

banner

Zhvillimet minutë pas minute  

Ora 19.26 Lëndime në fytyrë, sy dhe duar/ 3 policët e dëmtuar gjatë protestës dërgohen në spital, si paraqitet gjendja e tyre (VIDEO)
Tre efektivë të policisë u lënduan gjatë protestës së sotme të opozitës para Kryeministrisë pasi disa prej mbështetësve të PD hodhën kapsolla drejt godinës.

Sipas raportimit të gazetarit të News24, Igli Çelmeta, tre efektivët, mes tyre edhe një grua, janë dërguar në spital pasi kanë pësuar lëndime të lehta.

Mësohet se efektivja grua ka pësuar lëndime në fytyrë, një tjetër në sy dhe tjetri në duar

Ora 18. 40 Mbyllet protesta e opozitës. Berisha niset drejt Romës për takimin me diasporën shqiptare
Mbyllet pas 1 ore e 40 minuta protesta e opozitës para Kryeministrisë. Kryetari i Partisë Demokratike i është drejtuar menjëherë aeroportit “Nënë Tereza” pas përfundimit të fjalës së tij në protestë. Me të përfunduar fjalën e tij, u deklarua për pjesëmarrësit në protestë se kryedemokrati do të fluturojë drejt Romës për të zhvilluar ditën e nesërme një takim elektoral me shqiptarët në kryeqytetin italian.

Ora 18.30 “Dosja McGonigal arkivol i hapur për kryeministrin”/ Berisha: Te ai do përfundojë. Pas zgjedhjeve do ta “paketoj” Ramën!
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij përpara mbështetësve demokratë deklaroi se “dosja McGonigal është një arkivol i hapur për kryeministrin Edi Rama”. Berisha tha se “Rama do përfundojë atje ku sot është McGonigal”, duke nënkuptuar burgun. Më tej, Berisha theksoi se pas zgjedhjeve “do ta paketojë Ramën”

Ora 18.25 “Menduan se do na trembin, por gabuan rëndë”, Berisha: Salianji martir i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball me klanin Rama-Xhafa!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër në protestën e opozitës para Kryeministrisë sot, ku akuzoi Kryeministrin Edi Rama për abuzim të pushtetit dhe shtypje të opozitës. Në fjalën e tij, Berisha tha se ai vetë ishte vendosur në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës dhe se ish-presidenti i vendit Ilir Meta ishte goditur dhe përballur me dhunë për të trembur opozitën

Ora 18.20 “Historia e deshi që të jemi e vetmja forcë që përmbys dy diktatura”, Berisha në protestën e PD: Nga hiri u ngritëm si Feniksi!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të fuqishëm para protestuesve sot, duke theksuar se PD-ja ka bërë hapa të rëndësishëm në betejën e saj kundër qeverisjes. Berisha e nisi fjalën duke kujtuar një vit më parë, kur opozita ishte në një moment të vështirë, me liderin e saj të arrestuar dhe ai vetë i burgosur. Megjithatë, ai theksoi se ajo protestë e 20 shkurtit hapi rrugën për çdo fitore që ata do të arrinin në të ardhmen. “Nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe ata që menduan se do na mposhtin, dështuan me turp,” tha Berisha.

Ora 18.17 “Hyri në SPAK si opozitar dhe doli si rilindas”, Meta sulmon Braimllarin: Për firmat e tij unë mbahem në burg
Edhe pse aktualisht në burg, Ilir Meta ka dërguar një mesazh gjatë protestës së sotme të opozitës, duke iu drejtuar protestuesve përmes një mesazhi zanor. Ai u shpreh se po mbahet në burg nga firmat e një ish-zyrtari të LSI-së që hyri në SPAK si opozitar dhe doli si rilindas, duke iu referuar Endrit Braimllarit. Ky i fundit para disa javësh deklaroi publikisht se është larguar nga radhët e Partisë së Lirisë

Ora 18.15 VIDEO/ Berisha ngjitet në podium, protestuesit hedhin kapsolle e tymuese drejt Kryeministrisë. Lëndohet një efektiv
Kreu i PD Sali Berisha është ngjitur në podium, për të mbajtur fjalën e tij përpara mbështetësve të Partisë Demokratike. Në momentin që Berisha është ngjitur në podium, protestuesit kanë hedhur kapsolle dhe tymuese drejt Kryeministrisë

Ora 18.11 “Pini verën 33 mijë euro, vidhni. Ju që jeni në pushtet e dini që 1 jetë keni”?/ Aktorja me mesazh të fortë në protestë: Jeni të frikësuar, servilë
Aktorja Juli Emiri gjatë fjalës së saj në protestën e Partisë Demokratike dha një mesazh të fortë përpara protestuesve. Aktorja ngriti pyetjen për pushtetarët se a e dinë ata që vetëm vjedhin se një jetë kanë. Ajo u shpreh se hajdutët e vendit kanë frikë të dalin në qytet dhe jetojnë gjithë jetën si servilë

Ora 18.00 Ilir Meta mesazh nga burgu në protestën e opozitës: Dëshmia e Arben Ahmetajt historike, na provoi se shteti është shndërruar në organizatë kriminale

Edhe pse aktualisht në burg, ish-Presidenti i Republikës dhe kreu i PL, Ilir Meta ka shprehur mbështetjen e tij dhe ka dhënë një mesazh për protestuesit e opozitës gjatë protestës së sotme përmes një mesazhi zanor të transmetuar para turmës.

Në mesazhin e tij, Meta përshëndeti protestuesit, duke i quajtur ata “qëndrestarë dhe patriotë që protestojnë kundër narkoregjimit”. Ai e përshkroi dëshminë e Arben Ahmetajt si historike, pasi sipas tij, Ahmetaj ofroi prova të forta se si shteti shqiptar është shndërruar në një organizatë kriminale, me Edi Ramën si kryetar të saj

Ora 17.55 “Mazhoranca ka dalë nga binarët e ligjit, sillet si pronare e shtetit”, Duka në protestën e opozitës: Nuk synoj më karrigen e deputetit, dua vetëm…
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, mbajti fjalën e tij gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, duke kritikuar ashpër qeverinë dhe mazhorancën në pushtet. Duka theksoi se ka shumë arsye për të protestuar, por solli në vëmendje dy nga arsyet kryesore. Sipas tij, mazhoranca ka dalë nga binarët e ligjit dhe ata që qeverisin sillen si pronarë të shtetit. Ai i akuzoi ata për vendosjen e çmimeve të rrugëve sipas dëshirës dhe për kompensimin e pronarëve të tokave me çmime të ulëta. Po ashtu, Duka theksoi lehtësimin e ndërtimeve në zona të mbrojtura, duke e parë ligjin si një pengesë të tejkaluar për interesat e qeverisë.

Ora 17.50 Fatmir Mediu në protestën e PD-së: Përcjell falënderime nga senatorët amerikanë. Të bashkohemi për të rrëzuar këtë qeveri antikombëtare
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në fjalën e tij përpara simpatizantëve të opozitës tha se ka qenë në SHBA dhe ka zhvilluar takime me senatorët amerikanë. Mediu tha se përcjell falëndërimet nga republikanët amerikanë. Ai bëri thirrje për një bashkim, për të rrëzuar një “mur të fëlliqur”, që qeveria ka ngritur me qytetarët shqiptarë.

Ora 17.45 Floriana Garo: Ka ardhur koha për ndryshimin e madh që të gjithë e presim, ka ardhur koha e fitores

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo ishte e para që u ngjit në podiumin e protestës së opozitës para Kryeministrisë. Garo tha se qytetarët nuk pranojnë më vjedhjen dhe korrupsionin e qeverisë. Sipas saj ka ardhur koha për ndryshimin dhe fitoren e opozitës në zgjedhjet e 11 majit.

Ora 17.40 Nis zyrtarisht protesta para Kryeministrisë. Floriana Garo e para që ngjitet në podium

Ora 17.25 Berisha del nga selia e PD, niset drejt Kryeministrisë
Kryetari i PD, Sali Berisha i shoqëruar nga deputetët e grupit parlamentar dhe simpatizantët i është drejtuar Kryeministrisë. Berisha do t’i bashkohet protestuesve të opozitës. 

Ora 17.20 Agron Duka: Opozita ka bërë gafa të jashtëzakonshme, shumë e vështirë të riparohen
Kryetari i PAA, Agron Duka u shpreh se opozita ka bërë gafa të rënda në të kalurën siç ishte djegia e mandateve, braktisja e zgjedhjeve dhe bojkoti i komisionit të ndarjes territoriale.

“Fryma që ekziston është pozitive dhe ka një shpresë për rotacion. Qëllimi i kësaj proteste përveçse për të demaskuar korrupsionin e denoncuar nga ish-zv/kryeministri, është edhe për të krijuar frymën opozitare”, tha Duka.

Ora 17.10 Donald Trump “vjen” në tubimin e opozitës/ Protestuesit e PD shpalosin pankartat e veçanta para Kryeministrisë (FOTO)

Përkrahësit e opozitës janë mbledhur pasditen e sotme në protestën kombëtare kundër qeverisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Ata kanë valëvitur flamurin e Partisë Demokratike, ndërsa nuk kanë munguar as pankartat kundër qeverisë.  Një prej pankartave veçon kreun e PD-së, Sali Berisha, “krah” presidentit të SHBA, Donald Trump, rikthimi i të cilit është paralelizuar me atë të kryedemokratit nga mbështetësit e këtij të fundit. Një tjetër protestues mban një pankartë me mbishkrimin “Sy më sy dhe xhep me xhep”, një ironi ndaj rubrikës së re të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, “Sy më sy”, ku ai u përgjigjet pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve.

Ora 17.05 “Sot është dita e opozitës”, Luan Baçi për News24: Do të tregojmë fuqinë tonë, jemi mazhorancë, jo minorancë!

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka deklaruar se protesta e sotme e opozitës para Kryeministrisë nuk do të jetë e fundit. Në një prononcim për News24, Baçi theksoi se opozita do të vazhdojë qëndresën e saj, pavarësisht sfidave dhe angazhimeve të deputetëve jashtë vendit.

Ora 17.02 “Vjedhja 50 mln euro e Ballukut me tunelin e Llogarasë”/ Këlliçi: Shqipëria sot e plakur dhe mpakur, shqiptarët në situatën më të rëndë ekonomike
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën Belind Këlliçi, ka folur për News 24 pak përpara nisjes së protestës së PD.

Këlliçi tha se Shqipëria është “plakur” edhe “mpakur”, duke nënkuptuar se nga vendi janë larguar masivisht të rinjtë. Ai shtoi se ekonomia është në situatë tepër të rëndë. Këlliçi ndër të tjera tha se Belinda Balluku ka vjedhur 50 milionë euro te Tuneli i Llogarasë, ndërsa shtoi se mega vjedhjet e qeverisë nuk kanë fund.

Ora 17.00 Nis grumbullimi i protestuesve të opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj janë mbledhur para Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë masive pas akuzave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë për abuzime me fondet publike

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy