PDK përmbyllë fushatën, Krasniqi dhe Hamza: Nesër votoni për numrin 131, votoni për të ardhmen, për Kosovën që mundet ma mirë

by informim peje

Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën zgjedhore në një atmosferë madhështore në mesin e mijëra aktivistëve dhe mbështetësve në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka falënderuar të gjithë qytetarët për entuziazmin, energjinë dhe dashurinë ndaj Kosovës, si dhe për përkushtimin dhe besimin e tyre në vizionin dhe programin e PDK-së dhe Bedri Hamzës.

banner

“Ne kemi program! Programin tuaj! Por, kemi edhe Njeriun! Njeriun tuaj! Bedri Hamzën! Njeriun më të duhur dhe më të përgatitur për ta zbatuar këtë program të jashtëzakonshëm, kryeministrin ma të mirë që mund ta ketë Kosova sot. Ju e njihni, Bedriu është familjar i ndershëm, profesionist me integritet dhe lider që e mban fjalën! Ai e ka dëshmuar kompetencën e tij në të kaluarën dhe po e dëshmon edhe sot me arritje të pamohueshme dhe rezultate konkrete. Vula e profesionalizimit të tij është në secilin projekt transformues që ka ndodhur në Kosovë në dy dekadat e para të lirisë. Bedri Hamza ngriti pagat dhe pensionet në të kaluarën. Bedri Hamza e forcoi ekonominë tonë. Bedri Hamza gjithmonë i realizoi premtimet e tij. Dhe nga e hëna, Bedri Hamza do ta bëjë Kosovën ma mirë!”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së theksoi se Hamza dhe ekipi i tij janë gati për ta filluar një kapitull të ri e ma të mirë për Kosovën, andaj atij i duhet vota e qytetarëve të Kosovës.

“24 orët e ardhshme janë vendimtare. Pesha e përgjegjësisë tashmë është në supet e secilit prej nesh. Andaj, ju ftoj që të ju shkruani miqve tuaj. Bisedoni me familjarët, shokët e kolegët. Mobilizoni të gjithë që i njihni për të votuar nesër. Sidomos bashkëqytetarët që më parë kanë votuar për parti të tjera. Shpërndajeni mesazhin tonë të shpresës dhe unitetit. Thuajuni që na duhet besimi i tyre. Thuajuni t’ia japin një mundësi Bedri Hamzës. Thuajuni të votojnë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe numrin 131. Faleminderit për përkushtimin, punën dhe shpirtin që ia dhatë kësaj fushatë të jashtëzakonshme. Po. Sonte kemi festë. Por festa e madhe, festimi i vërtetë do të jetë nesër. Nesër në mbrëmje, kur Kosova do të vendosë t’ia japë Bedri Hamzës mundësinë për të udhëhequr. Dhe të hënën, me votën dhe besimin tuaj, Kosova do të filloj një kapitull të ri. Një kapitull ma të mirë. Sepse, Kosova Mundet Ma Mirë!”, ka kërkuar ai.

Memli Krasniqi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” ka përshëndetur krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët janë duke e zhvilluar betejën e fundit për të dëshmuar pastërtinë e luftës çlirimtare.

“Nga ky shesh i mbushur me shpresën e mijëra qytetarëve, edhe në emrin tuaj, ua përcjellim përshëndetjet dhe nderimet tona çlirimtarëve të Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli, Kryetarit Jakup Krasniqi, deputetit Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre, që po e zhvillojnë në Hagë betejën e fundit për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë. Kosova mundet ma mirë! Të gjithë e dimë këtë. Të gjithë e ndjejmë. Prindërit që përballen me vështirësi për ta lidhur muajin me muaj, familjet që shohin fëmijët e tyre që largohen nga Kosova, gratë dhe vajzat, që janë të nënvlerësuara dhe nuk e kanë ende vendin që e meritojnë në shoqërinë tonë, të rinjtë e të rejat, që duan më shumë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, në atdheun tonë, veteranët heroikë që sakrifikuan gjithçka për lirinë që gëzojmë sot”, theksoi kreu i PDK-së.

Duke theksuar se PDK zhvilloi një fushatë shprese dhe mirëkuptimi, Krasniqi kërkoi edhe nga qytetarët që nuk kanë votuar për PDK-në në të kaluarën, të dielën t’i japin një shans Bedri Hamzës.

“Ne nuk bërtitëm. Nuk akuzuam të tjerët. Nuk përhapëm urrejtje dhe përçarje. Nuk akuzuam askënd për mungesë patriotizmi. Përkundrazi, ne e dimë se vetëm të bashkuar mund ta çojmë vendin tonë përpara. Vetëm të bashkuar mund ta bëjmë jetën e të gjithëve ma të mirë”, tha ai.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se gjatë kësaj fushate e ka shpalosur programin më të mirë, ka prezantuar ekipin më të përgatitur, me listën më të mirë në krejt Kosovën. Dhe

“Tash është koha që kjo fushatë të kurorëzohet me një betim. Quajeni edhe besëlidhje në mes nesh. Keni kërkuar paga dhe pensione më të mira – dhe keni të drejtë! Keni kërkuar çmime më të lira – dhe keni të drejtë! Keni kërkuar mundësi dhe vende pune më të mira – dhe keni të drejtë! Keni kërkuar shëndetësi më të mirë e më të lirë – dhe keni të drejtë! Keni kërkuar arsim më të mirë – dhe keni të drejtë! Keni kërkuar që fëmijët të mos largohen nga Kosova – dhe sërish keni të drejtë! Keni kërkuar që Kosova me qenë ma mirë – dhe keni të drejtë! Ju kam dëgjuar. Në çdo fshat e qytet, në kopshtet e fëmijëve, shkolla, spitale, dyqane, fabrika. Ju kam dëgjuar kudo. Kam dëgjuar nëna dhe baballarë. Kam dëgjuar vajza dhe djem të rinj. Kam dëgjuar punëtorë dhe të papunë. Kam dëgjuar mësues, infermierë, mjekë, biznesmenë dhe gra. Kam dëgjuar veteranë. I kam dëgjuar të gjithë! Dhe sonte po ju shikoj në sy dhe po ua jap fjalën”, ka thënë Hamza.

Ai ka kërkuar që ky entuziazëm, kjo punë e madhe, kjo shpresë, nëser të jetë edhe te kutitë e votimit, te vendvotimet.

“Merrni prindërit, merrni motrat dhe vëllezërit, shokët, shoqet dhe kolegët, dilni nesër me votu për PDK-në, me votu numrin 131, që menjëherë ta krijojmë qeverinë e re dhe të fillojmë punën për Kosovën”, ka thënë Hamza.

Ai u ka thënë qytetarëve se kjo është mundësi për të bërë ndryshimin me votë.

“Ju e bëni të dielën me votë. Unë e bëj pastaj me punë! Mos e humbni këtë mundësi, votoni nesër. Mos i lini të tjerët të vendosin për ju. Votoni dhe bëni që zëri juaj të dëgjohet. E të dielën në mbrëmje, ju premtoj se festa do të vazhdojë. Faleminderit të gjithëve! Urime, suksese, fitore!”, ka thënë Hamza.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy