Në Kosovë është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve të trafikimit dhe përdorimit të drogës, veçanërisht të kokainës, duke sjellë shqetësime serioze mes ekspertëve të fushës.
Drejtori i Qendrës për Këshillim dhe Trajtim të Varësisë “Labyrinth”, Safet Blakaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se përdorimi i kokainës është në rritje të shpejtë gjatë dy viteve të fundit, duke shënuar edhe një ulje të konsiderueshme të moshës së përdoruesve.
“Natyrisht është për tu shqetësuar 17 për qind rritja e rasteve të trafikimit të drogës. Natyrisht ajo mund të jetë edhe për shkak të shtimit të aktiviteteve të Policisë, e ka gjera të tjera të cilët ndërlidhen. Por si do që të jetë kjo shifër sipas meje përputhet përafërsisht edhe me të dhënat tona për arsye se rritje e shpejt e përdorimit të kokainës po ndodh këto dy vitet e fundit posaçërisht. Edhe mosha e fillimit të përdorimit të kokainës ka rënë dukshëm, pra këto janë dy gjëra që na bëjnë që të ndihemi të shqetësuar se çka po ndodh në lidhje me përdorimin e drogës në Kosovë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai tha se të dhënat tregojnë se mosha mesatare e personave që fillojnë të përdorin drogë tashmë është 16 vjeç.
Sipas Blakajt, një tjetër aspekt shqetësues është lloji i kokainës që po përdoret, e cila është duke shkaktuar varshmëri të shpejt edhe çrregullime psikologjike e psiqike.
“Të dhënat tona tregojnë që është 16.2, ka rënë 16 vjeç kur ka filluar për herë të parë drogën. Mendoj që nuk ka ku të bie më poshtë, për të gjitha drogat vlen kjo. Por, sa i përket kokainës, katër-pesë vite më parë ka qenë mosha e atyre që kanë ardhur që të kërkojnë ndihmë lidhur me përdorimin e kokainës ka qenë 35-45 vjet, ndërsa nëse e krahasojmë me vitin e kaluar janë 25-35 me një tendencë për të rënë më poshtë, kjo po na shqetëson shumë. Natyrisht edhe mënyra e përdorimit të kokainës, është një lloj i crack cocaine, që nxirret nga kokaina e cila shkakton varshmëri të shpejt edhe kjo po na bënë shumë të ndihemi të shqetësuar për arsye që përveç efekteve të tjera negative të kokainës e ku e rrit edhe agresivitetin edhe shpeshtësinë e përdorimit edhe vashmërin edhe shkakton edhe probleme të tjera anësore të cilat janë edhe çrregullimet psikologjike e psikike”, ka thënë ai.
Në Kosovë, përdorimi i kanabisit dhe marihuanës vazhdon të mbetet i përhapur, por shqetësimi kryesor është rritja e përdoruesve të kokainës. Sipas Blakajt, numri i përdoruesve të kokainës është rritur me shpejtësi dhe gjithnjë e më shumë të rinj po e përdorin atë në baza të përditshme.
Në bazë të të dhënave të qendrës “Labyrinth”, numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë për varësinë nga droga është 20 për qind më e lartë se vitet e kaluara.
“Numri është rritur, flasim posaçërisht për drogat e kanabisit, mariuana natyrisht që ka shtrirje të gjerë në Kosovë, ndërsa kokaina me shpejtësi është rritur numri i përdoruesve të drogave, tejet me shpejtësi dhe kjo na ka bërë që të shqetësohemi edhe që po bie mosha me shpejtësi. Kalimi në përdorim e përditshëm të kokainës po ndodh tek të rinjtë. Sa i përket numrave ne i kemi databazën tonë, aty regjistrohen të gjithë ata që kërkojnë një shërbim mjekësor, ndërsa për shërbime të tjera nuk jemi të obliguar por edhe hezitojnë që të japin të dhënat. Sidoqoftë flitet që ata që kanë kërkuar e kalon pak 100 për vitin e kaluar, diku 20 për qind më shumë se vitet e mëparshëm, kjo është shqetësuese”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Një faktor kryesor që po ndikon në rritjen e numrit të përdoruesve është qasja e lehtë në drogë. Blakaj ka deklaruar se, pavarësisht përpjekjeve të Policisë për të luftuar trafikimin, ka ende pengesa që e bëjnë të lehtë sigurimin e drogës në Kosovë.
“Njëri prej faktorë që përdorin drogë është edhe qasja e lehët tek drogat. Ka qasej të lehtë tek drogat në Kosovë. Pavarësisht që Policia përpiqet që të kryej punë e vetë, por ne e dimë disa pengesa e gjëra që ndodhin. E dimë që ka shumë dilera të vegjël që bartin kapak sasi, e për çdo dy tre jave furnizohen”, ka thënë ai.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës për vitin 2024, ka një rritje prej 17.7 për qind të veprave penale të lidhura me narkotikët, duke reflektuar trendin shqetësues të rritjes së përdorimit të drogës, sidomos mes të rinjve.