Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, disa orë pas mbylljes së qendrave të votimeve, është prononcuar në lidhje me zgjedhjet që janë mbajtur në vend, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje,
Kurti, ka thënë edhe se ata do të krijojnë qeverinë e re, atë që do të njihet si Kurti 3.
Lideri i VV ka folur sërish për një luftë hibride që siç ka thënë ai është bërë kundër koalicionit të tyre.
‘‘Me lejoni që fillimisht të falënderoj të gjithë qytetarët e republikës tonë për pjesëmarrjen në këto zgjedhje të para të rregullta parlamentar. Nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit, procedurave dhe rregullave. Falënderoj edhe policinë e Kosovës, po ashtu edhe organet e rendit dhe të sigurisë në përgjithësi për mbarëvajtjen e këtij procesi shumë tejet të rëndësishëm për lirinë e demokracinë. Zgjedhjet ishin të lira e demokratike dhe të ndershme. Falënderoj edhe të gjithë votuesit e LVV, të koalicionit tonë fitues me partinë GUXO dhe partinë Alternativa. Jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë dhe progresiste. Faleminderit shumë të gjithëve. Dhe gjithashtu koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, pra Kurti 3. Dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë edhe ato punët të cilat i kemi nisur, por edhe shumë të tjera të reja në përputhje me zotimet tona. Besoj që qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar suksesshëm rezistencën e tyre edhe kundër një luftë të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Meqë rast oligark, sidomos njëri prej tyre kanë shpenzuar para pa hesap dhe kanë kërcënuar punëtorët dhe gjithashtu kemi pasur premtimet më absurde të mundshme në këtë fushatë të cilat kanë krijuar një atmosferë iracionale. Por përkundër të gjitha këtyre, populli fitoj, fitoj VV, ne jemi subjekti i parë, subjekti fitues, i cili do ta formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë që ata dolën të dytët e të tretët edhe po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa VV-ja. Vetëvendosja fitoj, Vetëvendosja është fituese’’, ka thënë ai.