Në një intervistë për median spanjolle “La Razón”, veç të tjerash kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me marrëdhënien e Shqipërisë me Kinën dhe Rusinë
Si janë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë për momentin?
Nuk kemi marrëdhënie. Ne jemi i vetmi vend në Evropë, që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1990, që nuk kemi pasur asnjë vizitor në Moskë dhe nuk kemi pasur kurrë një mysafir nga Moska. E kam fjalën në nivelin më të lartë. Dhe ne nuk kemi asnjë investim rus dhe nuk presim të kemi ndonjë. Kjo është për shkak të historisë sonë. Na duhej të jetonim me versionin më të keq të komunizmit sovjetik në Shqipëri (- duke iu referuar diktatorit Enver Hoxa). Kur të gjithë të tjerët kishin kthyer faqen dhe e lanë Stalinin pas në vitin 1960, ne ende e mbajtëm Stalinin si idhullin tonë. Pra, ne nuk kemi oreks për paratë ruse. Ne nuk kemi oreks për asgjë tjetër përveç letërsisë, muzikës dhe kulturës ruse, gjë që është e mrekullueshme. Politika ruse nuk do të thotë asgjë për ne dhe ne nuk duam të bëjmë asgjë me të
Dhe Kina?
Shqipëria është i vetmi vend në hemisferën perëndimore ku investimet kineze janë 0,1%. Ne nuk kemi investimet e tyre. Në aspektin ekonomik, marrëdhënia është shumë e vogël, absolutisht e parëndësishme për ekonominë tonë. Historia jonë me ta ka qenë një histori vëllazërimi shumë e ngushtë në momentin më të keq në Kinë, kur ata kaluan Revolucionin Kulturor, i cili u importua në masë të madhe në Shqipëri dhe që praktikisht e shkatërroi plotësisht vendin tonë në shumë drejtime. Kina nuk është Rusi, natyrisht, dhe ne kemi respekt të madh për të