Kurti i drejtohet me letër BEsë: Serbia po u bën Shqiptarëve diskriminim sistematik në Luginë

by engel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka drejtuar një letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Komisionit Evropian, Kaja Kallas, duke denoncuar diskriminimin sistematik që Serbia po u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në letrën e tij, Kurti thekson se shqiptarët e Luginës përballen me shtypje të vazhdueshme nga regjimi serb, përmes politikave që cenojnë të drejtat e tyre politike, administrative, ekonomike, kulturore dhe identitare.

banner

“Gjersa në Kosovë komuniteti serb gëzon të drejta e liri dhe integrohet në të gjitha sferat shoqërore, shqiptarët e Luginës përballen çdo ditë me diskriminim sistematik, pasivizim të adresave dhe spastrim etnik administrativ”, ka theksuar Kurti.

Ai ka ngritur shqetësime për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike, shëndetësore dhe juridike të Serbisë, si dhe për kufizimet në arsimimin në gjuhën shqipe.

Sipas tij, mbi 10% e shqiptarëve janë fshirë nga listat e votuesve, ndërsa papunësia në zonat e tyre arrin nga 30% deri në 70%, shumë më e lartë se mesatarja kombëtare e Serbisë prej 12%.

Kryeministri ka theksuar gjithashtu se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe ka caktuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke e konsideruar këtë një kërcënim serioz për shqiptarët e Luginës dhe një përpjekje për të shkaktuar shpërngulje masive.

“Represioni sistematik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës bie ndesh me vlerat evropiane dhe demokratike. Veprimet e Serbisë janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, prandaj kërkohet një reagim i menjëhershëm nga BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare”, ka shkruar Kurti në letrën e tij drejtuar Kallasit.

Kryeministri ka kërkuar nga BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar këtë situatë dhe për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy