Profesori dhe analisti i njohur, Blerim Latifi, rezultatin zgjedhor të së dielës e sheh si vullnet qytetar për qeveri të koalicioneve, “e jo qeveri një partiake”.
Kështu shkroi ai në një reagim në Facebook – ku jetëgjatësinë e çfarëdo qeveri të ardhshme e pa të përkthyer në adresimin e problemeve ndërkombëtare.
“Me gjasë, përkundër dëshirave të partive, Sovrani vendosi për një qeveri të koalicioneve, e jo për një qeveri njëpartiake. Procedurat kushtetuese e qartësojnë procesin politik që e prodhon këtë qeveri. Kushtet themelore janë: koalicioni i numrave në parlament dhe marrëveshja për ndarjen e pushtetit”, shkroi ai.
Latifi konsideron se problemet ndërkombëtare mund ta rrëzojnë qeverinë e koalicionit nëse nuk arrihet marrëveshje apo nuk adresohet si çështje e rëndësishme.
“Nëse kjo marrëveshje nuk arrihet ose konsiderohet çështje e dorës së dytë, atëherë çdo qeveri koalicioni është e dënuar të rrëzohet edhe nga era më e vogël e krizave politike. Ashtu siç ka ndodhur disa herë në të shkuarën. Historia përsëritet kryesisht tek ata që nuk marrin mësime prej saj”, tha Latifi.