Numri i qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës ende mbetet i lartë. Arsyet kryesore të këtij fenomeni lidhen me moslejimin e dyshtetësisë në shtete të ndryshme, kryesisht të Bashkimit Evropian (BE). Sipas sociologëve dhe ekspertëve të ekonomisë, numri i përgjithshëm i atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia ndër vite është mijëra qytetarë, derisa vlerësojnë se ky proces ka efekte negative në aspektet sociale, demografike dhe ekonomike të Kosovës.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë për KosovaPress se vetëm nga periudha 1 janar deri më 30 nëntor 2024, 1 mijë 291 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia.
Sipas të dhënave të MPB-së, 17 mijë e 752 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës nga viti 2020 deri në vitin 2024
“Numri i qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia nga periudha 1 Janar deri më 30 nëntor 2024 është 1 mijë 291. Ndërsa, numri i qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia në vitin 2023 ishte 3 mijë e 98. Arsyeja pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës është pasi shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tanë jetojnë tashmë me vite në këto shtete, dhe një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete, ata kanë fituar të drejtën e shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e më parshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi. Pra, arsyeja kryesore është ndalimi i dy shtetësisë në shumë vende”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga MPB-ja
Sociologu Genc Xërxa, në një prononcim për KosovaPress, thotë se ky fenomen nuk është sinjal i mirë për Kosovën, sepse ndikon në numrin e përgjithshëm të popullsisë.
Ai thekson se liberalizmi i vizave mund të jetë një ndër arsyet pse ka pasur rënie të numrit të qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia.
“Arsyet janë edhe si paraprake kushtimisht thuaja të njëjta, por tani kemi një rënie të heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës. Ndoshta mundet me qenë shkak edhe liberalizimi që e ka bërë më të qasshme apo më të mundshme lëvizjen brenda shteteve të ndryshme qoftë ato evropiane apo të tjera. Pastaj arsyet mund të jenë të ndryshme. Disa shtete lejojnë vetëm një shtetësi. Në qoftë se jetojnë me vite dhe janë të integruar në ato shoqëri atëherë vjen pyetja që për ta mbajtur njërën, atëherë në shumicën e rasteve heqin dorë nga ajo e Kosovës. Pastaj ka edhe që lindin atje, kanë fëmijë apo krahas tyre pastaj edhe këta ekzistues qytetarë të Kosovës iu vije oferta për ta pranuar shtetësinë dhe në disa raste ata edhe heqin dorë nga shtetësia e Kosovës që për shoqërinë tonë kosovare nuk është sinjal i mirë sepse kjo ndikon edhe në numrin e përgjithshëm të popullsisë apo të qytetarëve të vetë shtetit të Kosovës”, thotë Xërxa
Përveç këtyre, Xërxa përmend edhe kushtet jo të favorshme të jetesës si shkak që mund të çojë deri te heqja e shtetësisë.
“Pak nuk janë 1 mijë e 300. Tjerë faktorë janë kushtet, një shpresë për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke filluar për të gjitha kategoritë për rininë, pjesa ndoshta më dërmuese. Pastaj edhe një jetë, një mirëqenie më e mirë. Ndoshta do të kishte bërë njerëzit të mendojnë pak se a të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës. Por, duke parë të njëjtën kohë që nuk kanë ndonjë perspektivë mjaft të mirë brenda shtetit të Kosovës, atëherë vendosin që ta marrin shtetësinë e ndonjë shteti tjetër sidomos evropian…Sipas disa referencave të mediave prej pavarësisë së Kosovës qysh nga viti 2008 deri në vitin 2023 mendohet se kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës 57 mijë e 155 persona”, potencon Xërxa
Ndërkaq, eksperti ekonomisë, Mustafë Kadrijaj këtë fenomen e sheh si imazh jo të mirë për Kosovën. Ai thotë se përveç aspektit social dhe demografik, heqja dorë nga shtetësia ndikon edhe në të bërit ekonomi.
Kadrijaj thekson se kjo reflekton edhe në reduktimin e konsumit, për çka përmend se biznesi qëndron në treg duke pasur konsum.
“Është imazh jo i mirë për shtetin e Kosovës, sepse kur qytetarët heqin dorë nga shtetësia shihet se ata qytetarë nuk e kanë parë vetveten dhe perspektivën e vet që të mbesin qytetarë të Kosovës. Kanë parë diçka më të mirë dhe duke u bërë edhe qytetarë të një shteti tjetër që për fat jo të mirë ne dihet që niveli i banorëve që e kemi 1 milion e 600 mijë, nëse fillojmë me këtë lloj trendi, kjo do të tkurret. Republika e Kosovës nga ana e banorëve, që kjo duhet të jetë një shqetësim për shtetin dhe qeverinë e Kosovës. Po ashtu, ka ndikim demografik. Ka problem social. Ka problem edhe tek pjesa e të bërit ekonomi sepse minus 1 mijë e 200 qytetarë ushqehen dhe bëjnë aktivitetin e tyre dhe perspektivën e tyre jetësore dhe ekonomike jashtë Kosovës. Kjo në fakt e dëmton edhe të bëri ekonomi. Nuk ka as konsum, sepse biznesi qëndron në treg duke pasur konsum. Në këtë drejtim është një shqetësim, por që fjalën e fundit e kanë institucionet relevante që duhet të marrin masa në këtë drejtim”, shprehet Kadrijaj
“Në vitin 2020 janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës: 3.633. Në vitin 2021 janë liruar nga shtetësia Republikës së Kosovës: 4.938. Në vitin 2022 janë liruar nga shtetësia Republikës së Kosovës: 4.792. Numri i qytetarëve që kanë hequr dorë nga shtetësia në vitin 2023 ishte 3 mijë e 98. Ndërsa sa i përket pyetjes se prej cilave komuna të RKS janë, ju njoftojmë se këto statistika nuk i kemi në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për KosovaPress.
Sipas raportimeve, Gjermania është vendi me më së shumti qytetarë nga Kosova. Në qershor të vitit 2024, ky shtet ka futur një ligj të ri për shtetësinë, që mundëson shtetësinë e shumëfishtë për të gjithë emigrantët