Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth është nisur për në Evropë, në udhëtimi i tij të parë ndërkombëtar që nga marrja e detyrës muajin e kaluar.
Hegseth u nis nga baza e forcave ajrore Andrews, në periferi të Uashingtonit, herët të hënën, për ndalesa në Gjermani, Belgjikë dhe Poloni.
Në Gjermani, Sekretari i Mbrojtjes pritet të vizitojë selinë e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara dhe atë të Komandës së Shteteve të Bashkuara në Afrikë për t’u njohur nga afër me zhvillimet më të fundit në këto dy rajonet. Nga Gjermania, Hegseth do të udhëtojë në Bruksel, ku do të marrë pjesë në një takim të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe një takim të Grupit të Kontaktit për Ukrainën të mërkurën dhe të enjten.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thonë se Hegseth pritet të ushtrojë trysni mbi aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe për të marrë një rol më të madh udhëheqës për sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa.
Ai gjithashtu pritet t’i bëjë jehonë thirrjes së Presidentit Donald Trump për një fund diplomatik të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila së shpejti do të hyjë në vitin e saj të tretë.
Takimi i Grupit të Kontaktit për Ukrainën, një grup prej pothuajse 50 vendesh që janë zotuar të mbështesin Ukrainën në përpjekjet e saj për të zmbrapsur Rusinë, është i pari pas fillimit të mandatit të ri të Presidentit Trump dhe i pari që nuk do të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara.
Takimi i kësaj jave, i 26-ti, do të udhëhiqet nga Britania.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë përmes një deklarate të enjten tha se takimi do të përqendrohet në “përparësit për Ukrainën pasi komuniteti ndërkombëtar vazhdon të punojë së bashku për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit të paligjshëm të Putinit”.
Pentagoni përmes një deklarate tha se në këtë takim Hegseth do të theksojë angazhimin e Presidentit Trump për një zgjidhje diplomatike të luftës dhe “do të nënvizojë gjithashtu nevojën për rritjen rolit udhëheqës të Evropës për ndihmat ushtarake për Ukrainën”.
Pas takimeve në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth do të udhëtojë në Poloni për t’u takuar me udhëheqësit e këtij vendi dhe dhe për të vizituar trupat amerikane atje.
Vlen të përmendet se Sekretari i Mbrojtjes tha se ai po anashkalonte Konferencën vjetore të Sigurisë në Munih të Gjermanisë, e cila konsiderohet si një nga “forumet kryesore në botë për diskutimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë”, e cila fillon të premten.
“Nuk do të shkojmë në Konferencën e Sigurisë në Munih”, tha Hegseth para zyrtarëve të mbrojtjes dhe trupave në një takim të premten e kaluar në Pentagon.
“Ne do të shkojmë në Poloni për të vizituar trupat tona atje dhe do të shkojmë në Gjermani për të vizituar Komandën tonë Evropiane dhe atë të Afrikës”, tha ai. “Preferojë të flasë me trupat në vend se të marrë pjesë në një koktej. Kjo është puna ime”, tha ai.
Në Konferencën e Sigurisë në Munih, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga Nënpresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio./VOA