Të dielën e 9 shkurtit, Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Rreth 800 mijë qytetarë hodhën votën e tyre në kuti, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.
Bazuar në rezultatet preliminare, asnjë nga subjektet politike nuk ka marrë vota të mjaftueshme për ta formuar qeverinë pa ndonjë koalicion.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e ka komentuar procesin zgjedhor të 9 shkurtit, bazuar në sistemin kushtetues.
Miftaraj tha për Klankosova.tv se mbesin disa skenarë apo alternativa për të formuar qeverinë e ardhshme, duke u ndikuar si nga faktorë të brendshëm ashtu edhe të jashtëm.
Ai thekson se opsioni i parë është që Lëvizja Vetëvendosje ta formojë qeverinë me komunitetet joshumicë, bashkë edhe me Listën Serbe.
Por, sipas tij ky skenar është pak i mundshëm.
“Në kuadër të faktorëve të brendshëm ndër më të rëndësishmit janë nëse LVV ka vullnet politik për të formuar qeverinë së bashku komunitetet jo shumicë në Kosovë ku hyjnë serbët dhe të tjerët. Ky skenar do të arrihej lehtësisht nëse do kishte vullnet si nga LVV dhe LS. Sidoqoftë, duke marr për bazë qëndrimin e vazhdueshëm të LVV se nuk pranojnë të formalizojnë bashkëpunimin me LS, në praktikë ky skenar është pak i mundshëm”, tha ai për Klankosova.tv
Kreu i IKD-së dha edhe ‘formulën’ e dytë për krijimin e institucioneve të reja.
Miftaraj tha se skenari i dytë është një koalicion mes LVV-së, partive të komunitetit jo shumicë, përjashto Listën Serbe dhe një partie politike shqiptare.
“Që ky skenar të realizohej në praktikë do kërkonte qasje afruese nga LVV dhe një gjuhë e moderuar për të lënë hapësirë për bashkëpunim, e cila nuk ka ndodhur deri më tani. Përkundrazi, lideri i LVV i quajti liderët opozitarë më gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë ofenduese si ‘hajvanë’ që në gjuhën shqipe është sinonim i fjalës kafshë. Në këtë drejtim, është një përshtypje se LVV së paku në publik e me veprime po abstenon nga e drejta e saj për të formuar qeverinë e ardhshme, duke krijuar atmosferë dhe klimë përçarëse dhe polarizuese kundër të gjithëve”, theksoi ai për Klankosova.tv.
Ai parasheh edhe krijimin e një qeverie të opozitës.
“Skenar tjetër është formimi i qeverisë së pakicës nga ana e partive politike opozitare, së paku më komunitetet jo shumicë. Ky skenar mund të realizohet në praktikë nëse ka vullnet politik mes tre partive politike opozitare, më kushtin që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe së paku dy parti opozitare pajtohen që pozita e Kryeministrit të i takojë njërës parti, të harmonizojnë programin qeveritar dhe të pajtohen për qëndrimet lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje tjera me rëndësi si raportet me BE-në, masat ndëshkuese, etj”, shtoi kreu i IKD-së për Klankosova.tv.
Sipas tij, nëse nuk krijohet një qeveri stabile, vendi mund të ballafaqohet me zgjedhje të reja në vitin 2026.
“Faktorë të jashtëm pa dyshim do jenë qëndrimet e BE- she ShBA-së lidhur me formimin e qeverisë dhe pritjet e tyre nga qeveria e ardhshme. Që nga viti 2001, është hera e parë që në Kosovë mbahen zgjedhje dhe kur kanë kaluar dy ditë ende nuk ka një qëndrim zyrtar apo ndonjë urim nga shtetet mike për fituesin e këtyre zgjedhjeve si nga BE, ShBA apo vendet e Kuintit. Dhe faktori tjetër padyshim është fakti se ne prill 2026 Kosova duhet te emëroj Presidentin e ri ku duhen 80 vota e qe në mungesë të këtij kuorumi vendi mund të shkoj në zgjedhje, e që si duket nëse nuk ka një koalicion të madh mes LVV dhe një partie të madhe politike shqiptare, mund të ndikohet që të kemi një qeveri jetë shkurtër prej afërsisht një viti”, tha ndër të tjera drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj për Klankosova.tv.