Marcello Lippi ka zbuluar se ai “priste diçka tjetër” te Juventusi pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit. Ai nuk është i impresionuar nga Thiago Motta dhe shpjegon se si do të trajtonte situatën e Dusan Vlahovic.
Bianconerët shkarkuan në mënyrë befasuese Allegrin vetëm disa orë pasi ai ngriti trofeun e Coppa Italia në maj 2024, duke pasur tashmë prej muajsh në plan Thiago Mottën si pasuesin e tij, sapo kontrata e tij me Bologna të skadonte.
Deri më tani, italiani me origjinë braziliane ka regjistruar 15 fitore, 16 barazime dhe katër humbje në të gjitha garat si trajner i Juventusit
“Sinqerisht, prisja diçka tjetër pas Allegrit,” tha Lippi, fituesi i Kupës së Botës 2006, për DAZN Italia.
“Shoh te Thiago Motta një trajner të aftë, të përqendruar dhe të përkushtuar ndaj punës së tij. Por pas Allegrit, imagjinoja që do të merrnin një figurë që mund të ishte më frymëzuese për tifozët”.
Qasja e re taktike e Juventusit ka hasur disa pengesa, përfshirë një riorganizim të skemës me disa afrime të reja si Randal Kolo Muani, Lloyd Kelly dhe Renato Veiga, të cilët janë futur menjëherë në formacionin titullar.
![](https://informim.net/wp-content/uploads/2025/02/lippi-1-1024x667.jpg)
“Juve ka nisur një rrugë të re, dhe kur ndodh kjo, gjithmonë duhet kohë. Por ky është një luks që rrallëherë mund ta kesh te Juventusi, Interi ose Milani.”
Mbërritja e Kolo Muanit ka lënë në stol Dusan Vlahovic, dhe kjo duket se ka ndikuar në formën dhe vetëbesimin e sulmuesit serb.
“Edhe unë jam përballur me situata të tilla dhe gjithmonë kam tentuar të rris vetëbesimin e lojtarëve, madje edhe të atyre që në atë moment të caktuar nuk e meritonin të luanin, por bazuar në atë që kishin bërë më parë”, zbuloi ish-trajneri i Juventusit dhe Interit.
Sa i përket garës për titull, duket se është një duel mes Interit dhe Napolit, me Simone Inzaghin dhe Antonio Conten që luftojnë për kreun e tabelës. Po sipas Lippit, cili është trajneri më i mirë italian?
“Nuk mund të them me siguri, por janë dy ose tre. Inzaghi dhe Conte janë mes tyre”.