I ftuar në “NOW me Erla Mehillin”, deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, komentoi arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ndreca e cilësoi këtë masë si “ekstreme” dhe shprehu habinë e tij për faktin që ndodhi vetëm pak kohë para zgjedhjeve
Ai theksoi se mazhoranca nuk ka ndryshuar qëndrimin ndaj institucioneve të drejtësisë, por sipas tij po vihen në dukje disa problematika.
“Sigurisht që nuk e dinim se do të arrestohej Veliaj, as nuk kemi ndonjë arsye që ta dimë. Ka shumë emra të përfolur, por kjo nuk është arsye për të vepruar kështu. Drejtësia duhet të jetë e ftohtë dhe të mos ketë lidhje me këto debate,” tha Ndreca, duke shtuar se qeveria nuk kishte asnjë informacion për këtë çështje dhe se arrestimi ishte i papritur.
Ai gjithashtu vlerësoi se sipas tij ky veprim nuk përmbush kriteret e Kodit të Procedurës Penale për një funksionar të zgjedhur, siç është Veliaj, i cili ka marrë besimin e 161 mijë qytetarëve të Tiranës.
Sipas Ndrecës, ky rast është një arsye më shumë për t’u rishikuar qendrimet e legjislativit dhe ekzekutivit në lidhje me ligjet që ata miratojnë.
“Ky moment është befasues dhe duhet të na bëjë të mendojmë më thellë për atë që ndodhi,” shtoi ai.
Për sa i përket SPAK, Ndreca e vlerësoi këtë institucioni si të mjaftueshëm të fortë për të përballuar edhe kritikat që mund të vijnë ndaj tij, ndërkohë që theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për të vlerësuar funksionimin e këtij organi.
“Deklaratat e KLP-së dhe KLGJ-së mu dukën të papjekura dhe si viktimizim. Ata duhet të jenë të gatshëm për kritika dhe të mbajnë qëndrimin e tyre, pasi çdo ditë kemi kritika ndaj legjislativit dhe ekzekutivit”, tha Ndreca.
I pyetur nga gazetarja Erla Mehilli se përse mazhoranca nuk ka reaguar në rastet e tjera, si ato të Ahmedaj ose Beqajt, Ndreca sqaroi se kjo lidhet me procesin dhe funksionet e gjyqësorit.
Sipas tij, është detyrë e gjykatës të vendosë për fajesinë ose pafajësinë e individëve, ndërsa legjislativi ka reaguar për standardet, dhe se për këtë çështje janë bërë kërkesa për sqarime në një seancë të majit 2024.
“Edhe për raste të tjera ne kemi reaguar për standardet, por reagimi nuk ka qenë gjithmonë publik. Kryeministri vetë nuk është shprehur publikisht, por ne si deputetë kemi shprehur shqetësimet tona për afatet e hetimit dhe masat e sigurimit,” tha ai