Presidentja Osmani priti Kreshnik Radoniqin, biseduan për sfidat e paraqitura në procesin zgjedhor

by engel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, me ç’rast presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.

banner

Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.

Njëkohësisht, Osmani është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve. Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

Më tej në komunikatë thuhet se që nga dita e zgjedhjeve, presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Radoniqin si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

Në takim, Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy