Në fillim te seancës ku ka vazhduar dëshmia e Sylejman Selimit në Gjykatë Speciale, ka pasur një ballafaqim në mes të avokatit mbrojtës të Hashim Thaçit, Luka Misetic, dhe gjyqtarit zviceran, Guenael Mattreux, rreth një dokumenti që është përdorur nga Prokuroria e të cilin ka dashur ta përdor edhe gjykata në pyetjet që janë bërë, shkruan Gazeta Express.
Dokumenti pretendohet të jetë një vendim i Qeverisë së përkohshme i nxjerrë në prill të vitit 1998 përmes të cilit është emëruar Agim Çeku si shef i Shtabit të UÇK-së.
Misetic e pyet Sylejman Selimin nëse mban në mend pyetjet nga seanca e kaluar dhe nëse ka vënë re se këto dekrete s’kanë fare nënshkrim.
Pas kësaj, ka ndërhyrë gjyqtari zviceran ka pretenduar se dokumenti në fjalë është i nënshkruar nga Hashim Thaçi, avokati mbrojtës Misetic ka kundërshtuar një gjë të tillë duke thënë se në atë dokument s’ka kurrfarë nënshkrimi.
“Unë s’e di si e kuptoni ju nënshkrimin, por ju lutem, të shohim provën ku thuhet se kjo hyn në fuqi dhe ka qenë e nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi”, ka thënë gjyqtari zviceran.
Misetic ka ndërhyrë pas kësaj, duke insistuar se në ato dokumente s’ka kurrfarë nënshkrimi.
“Unë po ju them që s’ka dokument të nënshkruar. S’ka asnjë nënshkrim as vulë dokumenti. Dhe dokumentet e UÇK-së që kemi parë, kanë vulë dhe nënshkrim”, ka thënë Misetic.
Pas kësaj, gjyqtari zviceran është dorëzuar dhe ka kërkuar që Misetic të vazhdojë.