I dyshuari për sulmin vdekjeprurës në Austri kishte “motive ekstremiste islamike”, thonë autoritetet

by Nexhat

Autoritetet austriake kanë thënë të dielën se burri i dyshuar për vrasjen e një djali 14-vjeçar dhe plagosjen e pesë njerëzve të tjerë një ditë më herët, ishte i nxitur nga “terrorizmi islamik”.

I dyshuari, një sirian 23-vjeçar, u arrestua pasi e kreu sulmin me thikë në pikë të ditës në qytetin jugor Fillak.

banner

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, tha të dielën se ndjeu “zemërim ndaj sulmuesit islamist, i cili i theri me thikë njerëzit e pafajshëm këtu, në këtë qytet”.

Karner tha për gazetarë në Fillak se sulmuesi kishte lidhje me grupin Shteti Islamik dhe se ishte radikalizuar në internet brenda një kohë shumë të shkurtër.

Guvernatori i landit, Peter Kaiser, e falënderoi një burrë 42-vjeçar, i cili është sirian gjithashtu, për parandalimin e përkeqësimit të situatës pasi ai e ndali të dyshuarin gjatë sulmit.

“Kjo tregon se sa ngushtë mund të bashkohen e keqja terroriste dhe mirësia njerëzore brenda të së njëjtës kombësi”, tha ai

Ky është sulmi i dytë vdekjeprurës xhihadist në Austri në vitet e fundit. Në nëntor të vitit 2020, një burrë, i cili më parë kishte tentuar t’i bashkohej grupit Shteti Islamik, e kreu një sulm të përgjakshëm në Vjenë, i armatosur me pushkë automatike dhe jelek të rrejshëm shpërthyes, duke i vrarë katër njerëz, para se të qëllohej për vdekje nga policia.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, e quajti “të tmerrshëm” sulmin e së shtunës.

“Asnjë fjalë nuk mund ta zhbëjë vuajtjen, tmerrin dhe frikën. Bashkëndiejmë me familjen e viktimës së ndjerë dhe me familjet e të plagosurve”, shkroi ai në X.

Komuniteti i Sirisë së Lirë në Austri u distancua nga sulmi dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

“Të gjithë ne u detyruam të largoheshim nga Siria, vendi ynë, sepse nuk ishim më të sigurt atje – askush nuk e la vendin e vet me dëshirë. Jemi mirënjohës që kemi gjetur strehim dhe mbrojtje në Austri”, tha ky komunitet në një komunikatë në Facebook

“Duam të theksojmë: Kushdo që shkakton përçarje dhe prish paqen e shoqërisë nuk përfaqëson sirianët që kanë kërkuar dhe kanë gjetur mbrojtje këtu” thuhet tutje në njoftim.

Fillaku, qytet i njohur turistik pranë kufijve me Italinë dhe Slloveninë, njihet për atmosferën e tij të qetë, e cila ndërthur traditat mesdhetare dhe alpine. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy